Ilustrim

Tragjedi në Gjakovë: Dyshime se familjari nga dajallarët e plagosi nipin dhe i vrau babain

Një burrë është vrarë me thikë ndërsa djali dhe gruaja e tij kanë mbetur të plagosur sot në mëngjes në fshatin Bradhaniq të Gjakovës.

Ngjarja ka ndodhur në orën 3 të mëngjesit ndërsa KALLXO.com mëson se i dyshuari dhe viktimat ishin në lidhje familjare.

Sipas burimeve zyrtare nga policia V.I personi I dyshuar ka prejardhje nga Shqipëria dhe është kushëri i gruas së viktimës.

“Viktima mund të konsiderohet dhëndër i të dyshuarit por në një relacion pak mē të largët pasi gruan e tij e ka kushërirë” ka thënë drejtori i Policisë në Gjakovë Lumni Graishta

Graishta ka konfirmuar që i dyshuari V.I. shtetas i Republikës së Shqipërisë ka sulmuar me thikë mikun e tij (viktimën), gruan dhe djalin e tij, pas të cilit akt i dyshuari është arratisur.

Mirëpo, i njëjti është arrestuar në orën 07:00 nga Stacioni Policor në Deçan.

Graishta ka thënë se mjeku ka konstatuar vdekjen e viktimës ndërsa dy personave tjerë iu është dhënë ndihma e nevojshme mjekësore.

“Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion, i dyshuari është ndaluar për 48 orë ndërsa i lënduari tjetër (djali i viktimës) për shkak të plagëve të rënda është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm mjekësor. Në bashkëpunim me prokurorin e shtetit vepra është cilësuar si ”Vrasje e Rëndë”, ekzaminimi i vendit të ngjarjes po vazhdon ende, kurse hetimet janë duke u zhvilluar nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Gjakovë në mbikëqyrje të afërt të prokurorit të shtetit”- ka thënë Graishta për KALLXO.com