Refuzohet kërkesa për përjashtim të gjykatës së Gjakovës në rastin e vrasjes në Bardhaniq

Më 16 prill 2021, Gjykata e Gjakovës, gjykatësi Drilon Haraçia, kishte pranuar pranimin e fajësisë së Col Imerajt, të akuzuar për vrasje të rëndë, vrasje në tetativë dhe lëndim të lehtë trupor.

Imeraj nga fshati Geghysen në Tropojë të Shqipërisë, kishte pranuar fajësinë në rastin ku akuzohet se vrau burrin e kushërirës së tij dhe plagosi kushërirën dhe djalin e saj, deri sa po qëndronte mysafir në shtëpinë e tyre në fshatin Bardhaniq në Gjakovë.

“Mund të konstatojmë se i njëjti mund të marrë pjesë në seancë, se i kupton pyetjet e parashtruara dhe mund të përgjigjet në ato pyetje”, kishte thënë eksperti i psikiatrisë, Ajet Bunjaku.

Këtë pranim të fajësisë, nuk e kishte pranuar mbrojtësi i Imerajt, avokati Meshari Selimaj. Ai pretendonte se klienti i tij kishte probleme psikike.

Më pas, Selimaj kishte bërë kërkesë për përjashtimin e gjyqtarit Drilon Haraçia dhe Gjykatën e Gjakovës në tërësi.

Mirëpo, një kërkesë së tillë Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar.

Apeli kishte thënë se arsyet e kërkesës nuk ndikojnë në objektivitetin dhe paanësinë e Gjykatës së Gjakovës, për të vendosur lidhur me këtë çështje dhe se nuk ekziston asnjë nga shkaqet ku do të vihej në dyshim paanshmëria e gjykatës.

Andaj, Apeli ka refuzuar përjashtimin e gjykatës së Gjakovës në tërësi dhe të njëjtin rast e ka lënë në vlerësim të kryetarit të kësaj gjykate, që të vendos lidhur me përjashtimin e gjyqtarit të çështjes.

Në kërkesën e avokatit Meshari Selimaj, thuhet se klienti i tij Col Imeraj, e kishte pranuar fajësinë pa e ditur se veprimet e tija po cilësohen si mizore.

“Gjyqtari i çështjes Drilon Haraçia në mënyrë mashtruese ia ka shpjeguar vetëm rrethanat lehtësuese të akuzuarit, për t’i krijuar paralindje psikologjike se është në interes të tij të pranojë fajësinë, mirëpo ai sipas detyrës zyrtare nuk e ka sqaruar në mënyrë objektive, të qartë apo specifike me cilin lloj të vrasjes së rëndë ngarkohet, andaj veprimet e gjyqtarit janë jo humane, jo ligjore dhe kuptohet jo objektive”- thuhet në kërkesën për përjashtim të gjykatës së Gjakovës.

Në këtë kërkesë, Selimaj thotë se në këtë rast krijohet përshtypja se çështjen e ka vlerësuar prokurori dhe gjyqtari dhe se nuk ka nevojë për ndonjë ekspert mjeko-ligjor dhe se gjykata nuk ka si e shpjegon rrethanën se pas deklarimit të fajësisë nga i mbrojturi i tij, i njëjti ishte pranuar me përjashtimin e kësaj gjykate.

Sipas kërkesës për përjashtim, me këtë veprim të gjyqtarit pamundësohet zbatimi i parimit të barazisë së palëve në procedurë dhe se gjyqtari nuk i ka thënë që i akuzuari mund të dënohet me burgim të përjetshëm dhe se asgjë nuk humb nëse nuk e pranon fajësinë.

Këtë kërkesë, avokati Selimaj ka thënë që e ka bërë me qëllim të eliminimit të dilemave të familjes së të akuzuarit, për ndikimin e palës së dëmtuar në gjykatë dhe influencës së qytetarëve dhe opinionit brenda territorit të Gjakovës, e për këto arsye, ky rast duhet të gjykohet nga një gjykatë tjetër, e cila duhet të gjykojë në bazë të provave me gjakftohtësi në kuptimin ligjor, pavarësisht pasojave të shkaktuara.

Aktakuza ndaj Imerajt, u ngrit më 31 mars 2021.

Pretendohet se këto veprime, Imeraj i ka kryer ndaj kushërirës së tij, burrit dhe djalit të saj.

Sipas aktakuzës së ngritur nga prokurori Ali Uka, në muajin korrik të vitit 2020, në fshatin Bardhaniq të komunës së Gjakovës, Col Imeraj me dashje ka privuar nga jeta Ndue Mulaj, në shtëpinë e tij.

Sipas aktakuzës së siguruar nga KALLXO.com, thuhet se përderisa i ndjeri Ndue Mulaj 60 vjeçar ishte në dhomën e tij të gjumit, Imeraj me një thikë e çekan hekuri, hap derën e dhomës dhe e godet disa herë me thikë në kokë dhe në pjesë të tjera të trupit, duke i shkaktuar lëndime vdekjeprurëse, për të cilat veprime i vihet në barrë akuza e vrasjes së rëndë.

Në akuzë thuhet se në dhomën e gjumit kishte qenë edhe bashkëshortja e të ndjerit Diturie Mulaj, e që ishte kushërira e tani të akuzuarit Col Imeraj, i cili edhe kushërirën e tij e kishte goditur me thikë në krahun e majtë dhe në dorën e djathtë, për çka akuzohet për lëndim të lehtë trupor.

Aktakuza thotë se përveç kësaj, i njëjti shkon edhe në dhomën tjetër, ku ka qenë Mark Mulaj djalë i viktimës, duke e goditur disa herë me thikë në pjesë të ndryshme të trupit, e duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore, për të cilat veprime ngarkohet me veprën e vrasjes në tentativë.

Ky i fundit kishte qenë në dhomë me vëllain e tij të mitur D.M.

Në deklaratën e dhënë në Prokurori, Col Imeraj kishte pretenduar se Ndue Mulaj i kishte dhënë ekstazi (drogë), në një gotë me ujë dhe se të njëjtën e kishte detyruar që ta pijë.

Ai kishte mohuar se kishte ndonjë konflikt më familjen Mulaj, por i njëjti pasi që Diturie Mulajn e kishte vajzë të dajës së babait të tij, ai kishte qëndruar 2-3 ditë tek shtëpia e saj në mënyrë që të kontrollohej tek mjeku – urologu.

Gjatë deklaratës së tij të dhënë në Prokurori, ai kishte thënë që gjatë ditës i kishte ndihmuar Ndue Mulajn në bartjen e ushqimit të kafshëve.

Imeraj kishte thënë që pas pirjes së gotës më ujë, e kishte humbur kontrollin, e pas asaj i njëjti kishte thënë që kishte pirë lëng hashashi, duke mos e ditur se i kujt ka qenë.