Vetëvendosje ushtroi kallëzim penal ndaj tre ish-ministrave të Bujqësisë

Lëvizja Vetëvendosje ka dorëzuar në Prokurorin Speciale një kallëzim penal ndaj tre ish-ministrave të Bujqësisë, Nenad Rikallo, Memli Krasniqi dhe Blerand Stavileci, ndaj sekretarit të Ministrisë së Bujqësisë, Halim Kapllani, drejtorin e Agjencisë së Zhvillimit të Bujqësisë, Ekrem Gjokaj si dhe ish-drejtorin e kësaj agjencie, Elhami Hajdari.

Këtë kallzim e dorëzoi deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Sali Zyba, ndërsa siç bëhet e ditur në komunikatë, ky kallëzim është bërë për shkak të keqpërdorimeve në subvensione si dhe keqpërdorimeve të tjera të parasë publike nga këta ministra.

“Kallzim i sotshëm i mbulon dy çështje, grantet në shumën 4 milionë euro të dhëna për 4 konzurciome dhe një kompani secila prej tyre e lidhur drejtpërdrejtë me drejtues politkë dhe ish ministra si dhe keqpërdorimet prej vitit 2014 në këtë fushë. Vitin e fundit në Ministrinë e Bujqësisë u sajua një masë e veçantë, në shpërputhje të plotë me vet kriteret e kësaj ministrie. Mandej edhe këto kritere ilegjitime të bëra publike për këtë masë fiktive, nuk u morën parasysh”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Tutje Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar nga prokuroria që të mos vonohet me hetimet për këtë kallëzim.

“Ndaj i kërkojmë prokurorisë që të mos vonohet me këto hetime, tashmë ka fakte të bollshme prej fermerëve, prej këtij kallzimi e veçanërisht prej Raportin e performancës së Auditorit lidhur me procesin e menaxhimit të granteve dhe subvencioneve në sektorin e bujqësisë”, thuhet tutje në këtë komunikatë.

Në prill të këtij viti emisioni “Drejtësia në Kosovë” transmetoi ekskluzivisht skandalin e Ministrisë së Bujqësisë në ndarjen e subvencioneve për bashkëfshatarin e Zëvendëskryeministrit Fatmir Limajt.

Si arriti që një fermer pa lopë të marrë subvencione për cilësi të qumështit, duke aplikuar për  një kategori tjetër të subvencioneve?

Në emision u transmetua edhe intervista me Drejtorinë e Bujqësisë në Komunën e Malishevës i cili ngriti një mori problemesh që ka hasur në Ministrinë e Bujqësisë.

Hulumtimi sjell dëshmi nga Malisheva se një bujk kishte aplikuar në Ministri të Bujqësisë për subvencione të një kategorie tjetër por përfundoi në listat e përfituesve të cilësisë së qumështit pa pasur as fermë as lopë.Me çfarë arsyetimi po mundohet të mbuloj skandalin Ministria e Bujqësisë dhe se të njëjtit pranojnë faktin se ishte Drejtësia në Kosovë ata që zbuluan gabimin.