Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Zgjedhjet e Brendshme të LVV-së, 3 dorëheqje në Lipjan

Procesi i zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) i ka paraprirë 3 dorëheqjeve nga kjo parti në Lipjan.

Dy anëtarët e grupit punues në qendrën e Lëvizjes Vetëvendosje në Lipjan, Shkëlzen Bislimi dhe Fitim Sopjani si dhe asamblisti Fadil Spahiu kanë dhënë dorëheqje nga partia për shkak të pakënaqësive të tyre me degën në Lipjan.

Në një postim në facebook, Shkëlzen Bislimi ka thënë se është sabotuar nga disa eksponent të partisë së tij.

“Sa isha anëtar i Kuvendit Komunal, tentohej të minimizohej aktiviteti im brenda kuvendit duke mos publikuar fjalimet e mia në faqen zyrtare. Aktiviteti i këtij grupi përherë e ka pasur një mbështetje nga dikush i fuqishëm në Sekretariatin e Përgjithshëm në Prishtinë”, ka shkruar ai në facebook.

Bislimi ka thënë se vendimin përfundimtar për largim e ka marrë pasi iu është ndaluar të kandidat si kryetar i qendrës.

“E vulën e padrejtësive brenda Lëvizjes Vetëvendosje e dhanë sot duke ma ndaluar kandidaturën për Kryetar të Qendrës”, ka theksuar ai.

Kjo nuk është dorëheqja e vetme e figurave të LVV-së në Lipjan, dje Fitim Sopjani, kryetar i LVV-së, në pikën në Sllovi dhe anëtar i Grupit Punues Qendra në Lipjan, ka njoftuar për dorëheqjen e tij nga të gjitha pozitat në parti.

“Pas zhvillimeve të fundit brenda procesit zgjedhor të LVV-së, kam kuptuar që Demokracia e shfaqur në publik, nuk paska qenë brenda strukturave, në momentin kur i rrezikohet pozita një individi ose grupacioni”, ka shkruar ai në facebook.

Edhe Fadil Spahiu, asamblist në Kuvendin Komunal të Lipjanit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje duke thënë që partia kohëve të fundit është përballur me ‘situata aspak demokratike’, duke ofruar dorëheqjen e tij për të vazhduar si asamblist i pavarur.

Ndërsa, Mimoza Bushrani e cila ia kishte mërsyer garës për Kryetare të Gruas së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) ka njoftuar se është tërhequr nga kandidatura të cilën e kishte bërë publike ditë më parë.

Partia më e madhe në vend, më 1 shtator ka hapur fushatën zgjedhore për nivelin e tretë organizativ.

Ky nivel përfshinë kreun e partisë, kryetaren e grupit të grave si dhe kryetar të rinisë. Procesi sipas njoftimit të partisë pritet të përfundoj më 23 shtator 2022.