Komuna e Gjakovës, FOTO: KALLXO.com

Opozita akuzon pushtetin në Gjakovë për nepotizëm e punësime politike

Ka mjaftuar punësimi i motrës së udhëheqësit të Burimeve Njerëzore në Komunën e Gjakovës, Kushtrim Brahimajt, që opozita në këtë komunë të reagojë dhe të akuzojë pushtetin për nepotizëm dhe punësime politike.

Syzana Brahimaj është motra e Kushtrim Brahimajt. Ajo është renditur e dyta në konkursin për ‘Specialist i Administrimit të Përgjithshëm’ dhe është punësuar në bibliotekën ‘Ibrahim Rugova’ në Gjakovë.

Në Komunën që udhëhiqet nga Ardian Gjini i AAK-së, të gjitha konkurset shpallen nga Zyra e Burimeve Njerëzore.

Por nuk ka qenë njëjtë edhe për konkursin në fjalë. Për këtë konkurs, Kushtrim Brahimaj, sipas Komunës me qëllim të shmangies së konfliktit të mundshëm të interesit, është tërhequr nga vendimmarrja në këtë procedurë.

Konkursi është shpallur nga Teuta Krasniqi, zyrtare e lartë e Burimeve Njerëzore.

Por, partia ‘Alternativa’ thotë se Komuna e Gjakovës, sipas tyre ‘është në shërbim të klikave partiake të AAK-së’.

Përmes një reagimi në lidhje me konkursin, kjo parti u ka bërë thirrje organave të drejtësisë të reagojnë menjëherë.

“Për më keq, kryetari i komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, nuk po arrin në asnjë mënyrë të distancohet nga listat e imponuara të partisë së tij, duke e treguar pa aftësinë për t`i qëndruar premtimit se Komuna e Gjakovës do të ketë administratë jo politike”, thuhet ndër të tjera në reagimin e ‘Alternativës’.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje e cila gjithashtu është në opozitë në këtë komunë, kanë thënë se ‘janë të shqetësuar’ për qasjen tashmë tradicionale, sipas tyre, të kryetarit Gjini dhe vartësive të tij në këto konkurse, duke pretenduar se aplikuesit janë përballur me diskriminim dhe shkelje të të drejtave elementare.

“I bëjmë thirrje kryetarit Gjini, që si bartës kryesor i politikave qeverisëse në Gjakovë, ta ndalë këtë degradim institucional, dhe pozitat e shpallura të mbulohen me djem dhe vajza të shkolluar dhe meritorë të cilët në Gjakovë janë mjaft, e të cilëve nuk duhet humbur shpresa që ata mund të jetojnë dhe kontribuojnë në vendlindjen e tyre”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Vetëvendosjes.

Në përgjigjen e Komunës së Gjakovës, të cilat pyetje i janë drejtuar edhe Brahimajt, thuhet se Kushtrim Brahimaj është tërhequr me kohë nga procedura e konkursit, me qëllim të shmangjes së konfliktit të mundshëm të interesit.

“Kushtrim Brahimaj, me qëllim të shmangies së mundshme të konfliktit të interesit, në përputhje me dispozitat ligjore në fuqi kishte informuar me shkrim Kryetarin e Komunës se tërhiqej nga vendimmarrja në raport me këtë procedurë. Kryetari në përputhje me kompetencat e tij kishte nxjerr vendim përmes të cilit caktonte Teuta Krasniqi si zëvendësuese të Menaxherit të Burimeve Njerëzore”, thuhet në përgjigjen e komunës së Gjakovës.

Në lidhje me rastin, KALLXO.com i është drejtuar Agjencisë Kundër Korrupsion (AKK), për të kuptuar nëse kemi të bëjmë me konflikt të interesit.

Konkursi në fjalë ka qenë i shpallur më 29 prill 2022. Sipas njoftimit të Komunës, kanë aplikuar 38 kandidatë, prej të cilëve 25 kanë plotësuar kriteret e përgjitshme dhe ato të posaçme dhe kanë vazhduar tutje në testimin me shkrim dhe me gojë.

Pas procedurave të testimit, 11 kandidatë kanë rezultuar të suksesshëm, mes tyre edhe Syzana Brahimaj, motra e Kushtrim Brahimajt, duke u renditur e dyta dhe duke u punësuar në bilbiotekën ‘Ibrahim Rugova’ në Gjakovë.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë direkt me Brahimajn, por i njejti nuk ka qenë i qasshëm përmes telefonit, si dhe nuk i është përgjigjur mesazheve, përmes të cilave është kërkuar edhe kontaktimi me Syzana Brahimajn dhe rrjedhimisht kontakti me këtë të fundit ka qenë i pamundur.