LVV publikon një video me foto të Thaçit, Veselit, Haradinajt, Mustafës, Pacollit e Limajt, i quan shkatërrues të shtetit

Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka publikuar një video në të cilën i ka akuzuar partitë opozitare për shkatërrim të shtetit për 20 vite, e tani edhe për sabotim të shtetit përmes sindikatave greviste.

“Duan të mbysin çdo përpjekje për vendin sepse nuk duan ta shohin atë tek lulëzo. Zhurmë, sharje, grevë e çka tjetër vetëm për të sabotuar shtetin e sulmuar Qeverinë”, -thuhet në video-mesazh.

Në videon 2-minutëshe, partia në pushtet ka vlerësuar se opozita dëshiron ta ndalë Qeverinë Kurti duke përmbysur vullnetin e qytetarëve.

“Shkatërruesit e shtetit që nuk duan ta shohin Kosovën mirë për 20 vite kanë qeverisur vendin. Herë vetëm e herë njëri me tjetrin. Formalisht të ndarë në parti të ndryshme por praktikisht në një qëllim: Rreth Kosovës së përbashkuar që e shihni veç si tender, si ryshfet, si haraç, si krim, si korrupsion e si çka tjetër. Ishte vetëm një subjekt që s’ishte në anën e tyre, VETËVENDOSJE!”, thuhet në përshkrimin e videos të publikuar në Facebook.

Që nga fundi i gushtit punëtorët e administratës dhe mësimdhënësit kanë hyrë në greva duke kërkuar rritje të pagës.

Mësimi i rregullt në Kosovë ka filluar sot më 3 tetor, pasi që mësimdhënësit vendosën ta pezullojnë grevën. Njëjtë kanë vepruar edhe punëtorët e sektorit publik.