Foto: Kallxo.com

Rojet e pyllit të Blinajës pranojnë fajin për 1.2 metër kub dru

Dy rojet e pyllit në Blinajë të Lipjanit, Hashim Drenica dhe Gjemë Shala , pranuan të martën fajësinë në akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Prokuroria ngarkon të akuzuarin Hashim Drenica se më 27 qershor 2019 rreth orës 19:13, në vend gjuetinë me rëndësi të veçantë  ‘’Blinaja’’ në Komunën e Lipjanit se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore gjatë orarit të punës pa lejen e organeve kompetente kishte prerë dru në sasi prej 1.2 metër kub.

Ndërsa Gjemë Shala akuzohet se në datën dhe vendin e njëjtë i kishte ndihmuar të akuzuarit Hashim Drenicës për ngarkimin e druve të prerë në vendgjuetinë me rëndësi të veçantë ‘’Blinaja’’.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i çështjes Shkëlzen Ibrahimi të akuzuarit u deklaruan rreth fajësisë.

I akuzuari Hashim Drenica, pas konsultimeve me mbrojtësin e tij avokatin Naim Aliu, deklaroi se e pranon fajësinë për veprën penalë që akuzohet.

Poashtu fajësinë  e pranoi edhe i akuzuari Gjemë Shala i cili tha se “e  pranoj fajësinë sepse i kam ndihmuar Hashimit që t’i ngarkojë drutë në xhip poashtu pendohem shume dhe s’do ta përsëris më veprën e tillë”.

Pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarve e mbështeti edhe prokurori i rastit Shkëlzen Ibrahimi  i cili deklaroi se “prokuroria e konsideron se pranimi i fajësisë është në përputhje të plotë me shkresat e lëndës me të cilat vërtetohet se të akuzuarit kanë kryer veprën penale që ju vihet në barrë”.

Poashtu edhe mbrojtësi i të akuzuarit Hashim Drenica, avokati Naim Shala, deklaroi se “i mbrojturi im u deklarua rreth pranimit të fajësisë pasi është konsultuar me mua”.

Trupi gjykues I përbërë nga gjykatësja Shpresa Hasaj Hysaj dhe anëtarët Lutfi Shala dhe Isuf Makolli morën vendim me të cilin e miratuan pranimin e fajësisë nga të akuzuarit Hashim Drenica dhe Gjemë Shala.

Ndërsa pala e dëmtuar Xhavit Statovci deklaroi se pasi zyra jonë ligjore ta precizojë lartësinë e dëmit do të parashtrojmë kërkesën pasuroro-juridike.

Shpallja e vendimit bëhet të mërkurën.