Hulumtimi i "Jeta në Kosovë": Gjykata dënon sërish mësuesin nga Drenasi për falsifikim të notave të nxënësve

Fehmi Ramaj, mësues nga Drenasi i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumenteve, ka pranuar fajësinë në seancën e sotme dhe është shpallur fajtor për keqpërdorim të detyrës.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar gjyqtari i rastit, Alban Ajvazi.

“Ramaj për keqpërdorim të detyrës zyrtare ka pranuar fajësinë dhe është shpallur fajtor me 6 muaj burgim. Me pëlqimin e tij ky dënim do t’i zëvendësohet me 1,500 euro gjobë, ndërsa për veprën penale falsifikim i dokumenteve i është veçuar procedura”, ka thënë gjyqtari Ajvazi për KALLXO.com.

Ndërsa avokati i të akuzuarit Ramaj, Ramë Dreshaj ka thënë për KALLXO.com se Prokuroria ka gabuar sa i përket veprës penale, falsifikim i dokumenteve.

“Ka gabuar Prokuroria sa i përket veprës penale të falsifikimit, pasi Fehmi Ramaj s’mund të akuzohet për të njëjtat veprime me dy vepra penale edhe pse Prokuroria është vonuar të elaboroj veprën e parë penale, gjëja se është bashkim real. Gjykata e Apelit ka dhënë mendimin e vet dhe i ka rekomanduar Gjykatës së Shkallës së Parë, që ta shikojë se a mund të jenë dy vepra penale. Për veçimin për veprën penale falsifikim, kemi mbetur të bëjmë një kërkesë për hudhje të aktakuzës në atë pjesë”, ka thënë Dreshaj për KALLXO.com.

Fehmi Ramaj më 9 mars 2020 ishte dënuar me 9 muaj burgim efektiv, ndërsa më vonë Gjykata e Apelit e kishte kthyer çështjen në rigjykim.

Aktakuza ndaj Ramajt u ngrit më 27 dhjetor 2019, gati 6 vite pasi ishte kryer kjo vepër dhe tre vite pasi emisioni “Jeta në Kosovë”, kishte transmetuar hulumtimin lidhur me falsifikimin e notave që e kishte bërë ky mësues.

Kolegu i Fehmi Ramajt, mësuesi Ramadan Ramaj, ishte kallëzuesi që kishte bërë raportime lidhur me këtë rast te të gjitha organet kompetente, përfshirë edhe Policinë dhe Prokurorinë.

Aktakuza e Prokurorisë ka marrë për bazë kallëzimin penal të bërë nga Ramadan Ramaj më 6 janar të vitit 2017, ndërsa si provë ka marrë edhe hulumtimin e emisionit “Jeta në Kosovë”.

Prokuroria e ngarkonte Fehmi Ramajn për keqpërdorim detyre për shkak të ndryshimit të notave të 12 nxënësve të klasës së nëntë, duke përfshirë edhe djalin e tij.

Ai po ashtu akuzohet për falsifikim të dokumentit për shkak se falsifikoi notat në ditarin e shkollës.

Prokuroria megjithatë kishte pushuar hetimet lidhur me akterët të tjerë në këtë rast, duke përfshirë edhe tre inspektorë të arsimit që kishin inspektuar rastin në Drenas, pas publikimit të hulumtimit nga “Jeta në Kosovë”.

Sipas aktvendimit për hedhjen e pjesshme të kallëzimit penal të datës 27 dhjetor 2019 të siguruar nga KALLXO.com, thuhet se për të dyshuarit Sokol Ramaj, Kamer Ramaj dhe Sadik Tahiraj nuk ka dyshim të arsyeshëm se kanë kryer veprën penale për të cilën dyshohen.

Pas aktakuzës, vetë Fehmi Ramaj në intervistën e dhënë në Prokurori, kishte pranuar se e ka bërë ndryshimin e notave mirëpo sipas tij këtë e ka bërë në afekt.

Ai kishte shtuar se ndjen keqardhje për këtë që ka ndodhur dhe kishte pranuar se ka gabuar.

Kallëzuesi (Ramadan Ramaj) që tentoi ta vinte në pah këtë rast, po sipas aktakuzës thuhet se u shantazhua e stigmatizua, madje i prishi edhe marrëdhënie me dy vëllezërit e tij që ishin bashkëpunëtorë në vargun e mbulimit të këtij falsifikimi. Ai në kallëzimin e tij penal i ka përmendur të dy vëllezërit.

Njëri vëlla i kallëzuesit (Ramadanit), Sokol Ramaj thuhet se ishte drejtor i shkollës në të cilën kishte ndodhë falsifikimi, ndërsa tjetri Kamer Ramaj, kryeauditor në Komunën e Drenasit.

Ai gjithashtu thuhet se kishte përmendur ish-drejtorin e Arsimit në Drenas, Sadik Tahiraj i cili nuk kishte ndërmarrë asgjë tjetër lidhur me këtë rast përpos vërejtjes me shkrim ndaj mësuesit Fehmi Ramaj.

“Puna nuk është kry se në aktakuzë mungojnë edhe tre persona që është dashur të akuzohen: Sokol Ramaj, Kamer Ramaj dhe Sadik Tahiraj”, kishte thënë Ramadan Ramaj për KALLXO.com.

Lidhur me këtë hulumtim, “Jeta në Kosovë” ishte shpërblyer me çmimin për storien më të mirë në arsim për vitin 2017.

Hulumtimi i “Jeta në Kosovë”: Gjykata dënon mësuesin nga Drenasi për falsifikim të notave të nxënësve