Gjykimi për përvetësimin e parave nga Radio Kosova FOTO-Elona Sejdullahu/KALLXO.com

Eksperti financiar dëshmon në gjykimin për vjedhjen e mbi 332 mijë eurove të Radio Kosovës

Në seancën ndaj Bajram Shehut, ish-shef i kontabilitetit në Radio Kosovë të akuzuar për dy vepra të përvetësimit në detyrë, është dëgjuar eksperti financiar gjyqësor.

Eksperti është ftuar për arsye të rishqyrtimit të pasurisë së konfiskuar nga i akuzuari Shehu.

Eksperti financiar gjyqësor tha se ekspertiza është bërë në bazë të dokumentacionit që i është ofruar nga Prokuroria.

Ndërsa mbrojtja e të akuzuarit Shehu, Fehmije Gashi-Bytyqi propozoi që të ndërpritet seanca, pasi që sipas saj ekspertit i nevojitet kohë për të rifreskuar të dhënat, lidhur me ekspertimin e bërë.

Kjo pasi që i njëjti për shumicën nga pyetjet e bëra, nuk kishte përgjigje.

“Unë kam akoma shumë pyetje për t’i bërë atij”, tha avokatja Fehmije Gashi-Bytyqi.

Gjykata vendosi që seanca e sotme të shtyhet, pasi që avokatja Gashi-Bytyqi shprehu interesimin se dëshiron t’i parashtrojë më shumë pyetje ekspertit.

Seanca u shty edhe për shkak të planeve që anëtarët e trupit gjykues kishin për të  shkuar në një varrim, kurse pasdite ishte e pamundur të vazhdohet, pasi avokatja kishte një gjykim tjetër.

Kujtojmë se më 18 mars 2019, pas pranimit të fajësisë, të akuzuarit për veprat penale të përvetësimit në detyrë, i është shqiptuar dënimi me 3 vite e 2 muaj burgim dhe i është konfiskuar vetura dhe shtëpia në lagjen “Kalabria”.

Gjykata e Apelit më 16 maj 2019, kishte refuzuar si të pabazuar ankesën e mbrojtjes së të dënuarit dhe kishte vërtetuar aktgjykimin e shkallës së parë.

Ndërsa sa i përket këtij vendimi të Gjykatës së Apelit, mbrojtja e të akuzuarit Shehu, avokatja Gashi-Bytyqi kishte bërë kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.

E me këtë ka kërkuar që Supremja të bëjë anulimin e akgjykimit të shkallës së parë dhe të dytë, gjithashtu kishte kërkuar që klienti i saj të lirohet nga shqiptimi i dënimit plotësues, sa i përket konfiskimit të shtëpisë.

Gjykata Supreme me akgjykimin e datës 17 tetor 2019, ka anuluar akgjykimin e shkallës së parë dhe të dytë, ashtu që me këtë ka kthyer në rivendosje çështjen penale në fjalë.

Supremja ka kërkuar që për konfiskimin e shtëpisë, Gjykata themelore të sqarojë arsyet, sa i përket konfiskimit të pasurisë të bijës, së të akuzuarit Shehu.

Aktakuza thotë se më datë të pacaktuar, prej vitit 2007 deri në vitin 2012, i pandehuri Bajram Shehu, si person zyrtar, derisa ishte duke punuar në Radio Kosovë, në Prishtinë, në pozitën shef i kontabilitetit, gjatë punës së tij, me qëllim që vetit ti sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, nga mjetet të cilat i janë besuar atij, nga llogaria bankare e Radios Televizionit të Kosovës i ka bartur në xhirollogarinë e firmës së tij NSH. “Pastrimi” shumën e të hollave prej 331,350,87€.

Tutje thuhet se këto të holla i ka përvetësuar për veti, me ç’rast të dëmtuarës, Radios Kosovës i ka shkaktuar dëm të përgjithshëm në vlerë prej 331,350,87€.

Poashtu në aktakuzë thuhet se datë 31 gusht 2012, i pandehuri Bajram Shehu, si person zyrtar, derisa ishte duke punuar në Radio Kosovë, në Prishtinë, në pozitën shef i kontabilitetit, gjatë punës së tij, me qëllim që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, me mjetet cilat i janë besuar për kryerjen e obligimeve për nevoja të Radio Kosovës, i pandehuri Bajram Shehu në firmën e “Adria 7”, e cila gjendet në Prishtinë, nga pronari i kësaj firme Alban Krasniqi ka blerë 12 radiatorë për nxemje qëndrore.

E këta radiatorë thuhet se, i ka blerë me faturë nr.473/12 në vlerë prej 523.82€ dhe me faturë 474/12 të datës 31 gusht 2012 në vlerë prej 537.68€, të dy faturat në vlerë të përgjithshme prej 1.061.50€, të cilët radiatorë i ka paguar me mjete të Radio Kosovës.

Tutje ceket se radiatorët e blerë me të holla të Radio Kosovës, i ka përvetësuar për vete, duke i dërguar dhe vendosur në shtëpinë e tij, me çka të dëmtuarës, Radio Kosovës i ka shkaktuar dëm material.

Me këtë ka kryer veprën penale, përvetësimi në detyrë.