Gjykata e Apelit, Prishtinë | Foto: Kallxo.com

Gjykata e Apelit vërtetoi dënimin ndaj dy ish-inspektorëve të Prishtinës, liroi disa të tjerë

Dy ish-inspektorëve të Komunës së Prishtinës u janë vërtetuar dënimet me burgim.

Gjykata e Apelit vërtetoi vendimin e Gjykatës së Prishtinës me të cilin Ismet Haliti ishte dënuar me 2 vite burgim ndërsa Skender Canolli me 1 vit burgim. Të dy ishin shpallur fajtorë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Përpos vërtetimit të dënimeve për të akuzuarit Haliti dhe Canolli, Apeli vendosi edhe për të akuzuarit e tjerë të këtij rasti. Me vendim të kësaj Gjykate Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala, Granit Cenaj, Drita Rukiqi, janë liruar nga akuza.

Të dhjetë ish-inspektorët e Komunës së Prishtinës akuzoheshin për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Për këto akuza më 10 nëntor 2020 të akuzuarit ishin shpallur për të dytën herë fajtorë nga Gjykata e Prishtinës.

Ismet Haliti ishte dënuar me 2 vite dënim me burg për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe me 1 mijë euro gjobë për veprën penale armëmbajtje pa leje.

Skender Canolli ishte dënuar me 1 vit burg për keqpërdorim të pozitës zyrtare ndërsa për armëmbajtje pa leje me 1 mijë euro gjobë.

Të akuzuarit Blerina Syla, Vehbi Abdullahu dhe Blerim Ibishi ishin dënuar me 6 muaj burg, i cili dënim me pëlqimin e tyre do u shndërrohej në dënim me gjobë në shumën prej 12,000 eurove.

Me 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Arbenita Ajeti, Mergim Shala dhe Drita Rukiqi, me pëlqimin e të cilëve, ky dënim do t’u zëvendësohej në gjobë në shumën prej 10,000 eurove.

Po ashtu me 6 muaj burgim ishin dënuar edhe të akuzuarit Ardian Muhadri dhe Granit Cenaj, por me pëlqimin e tyre, ky dënim do t’u zëvendësohej në gjobë në shumë prej 8,000 eurove.

Kurse, për veprën penale – falsifikim i dokumenteve, Qemajl Pozhegu ishte dënuar me 18,000 euro gjobë.

Ndërsa me vendimin e parë të Gjykatës së Prishtinës i cili ishte prishur nga Gjykata e Apelit, Ismet Halitit dhe Skender Canollit u ishin shqiptuar dënime më të ashpra.

Më 20 prill të vitit 2018, Ismet Haliti ishte dënuar me 3 vite e 6 muaj burg ndërsa Skender Canolli me 2 vite e 6 muaj burgim.

Aktgjykim dënues ishte shqiptuar edhe për të akuzuarit e tjerë.

Blerina Syla, Vehbi Abdullahu, Blerim Ibishi dhe Mërgim Shala ishin dënuar me 2 vite burg, ndërsa Shalës Gjykata i kishte konfiskuar banesën.

Drita Rukiqi dhe Arbenita Ajeti ishin dënuar me nga 1 vit e 6 muaj burg, ndërsa Ardian Muhadri dhe Granit Cenaj ishin dënuar me nga 1 vit burg.

Ndërsa biznesmeni Qemajl Pozhegu, për falsifikim të dokumenteve ishte dënuar me 20,000 euro gjobë.

Sipas aktakuzës, kryeinspektori Ismet Haliti dhe të akuzuarit Skender Canolli, Vehbi Abdullahu, Drita Rukiqi, Blerina Syla, Blerim Ibishi, Ardian Muhadri, Arbenita Ajeti, Mërgim Shala dhe Granit Cenaj në cilësinë e personave zyrtarë në Drejtorinë e Inspeksionit të Ndërtimit në Komunën e Prishtinës, në periudhën kohore janar 2010 – mars 2014, me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore, me dashje nuk e kanë përmbushur detyrën e tyre zyrtare, dhe nuk i kanë parandaluar e nuk i kanë ndërprerë ndërtimet kundërligjore.

Prokuroria pretendonte se të akuzuarit nuk i kanë ekzekutuar vendimet për rrënimin e objekteve që ndërtoheshin në mënyrë kundërligjore në territorin e komunës së Prishtinës, duke vepruar si grup kriminal i cili e ka shfrytëzuar pozitën zyrtare për kryerjen e veprave penale.

Sipas aktit akuzues, i pandehuri Qemajl Pozhegu, pronar i kompanisë “Pozhegu Brothers” ka ndryshuar dokumentin origjinal publik, me qëllim të shfrytëzimit të atij dokumenti si origjinal, në mënyrë që gjatë muajit shtator të vitit 2013, në Drejtorinë e Inspeksionit të Komunës së Prishtinës, ka dorëzuar lejen ndërtimore, lëshuar nga Drejtoria e Urbanizmit për ndërtimin e një objekti në Prishtinë, të cilës leje ia ka bashkangjitur skicën e ndryshuar të projektit kryesor, duke u paraqitur se kinse posedon leje ndërtimore për atë objekt.