Shpallja e aktgjykimit ndaj ekzaminerit të akuzuar për ndihmë ndaj kandidates

Dënohet ekzamineri i cili akuzohet se ndihmoi kandidaten për test të vozitjes

1 vjet e 6 muaj burg është dënimi që Gjykata e Prishtinës i ka shqiptuar ekzaminerit të Qendrës për Leje të Vozitjes në Prishtinë, Gëzim Kryeziu, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Gjykata Kryeziut i ka shqiptuar edhe dënimin plotësues si ndalim i profesionit të ekzaminerit në kohëzgjatje prej 3 vite.

Gjyqtari, Isuf Makolli i cili bëri shpalljen e aktgjykimit shtoi se anulohet edhe testi i provimit me shkrim për kandidaten, Shkurte Hashani.

Në këtë rast për veprën penale -pranim i ryshfetit në sektorin privat, akuzohej edhe zyrtari i një dyqani , Ekrem Zhegrova, i cili pas pranimit të fajësisë ishte dënuar me një vit burg efektiv dhe 1,000 euro gjobë.

Sipas aktakuzës, i pandehuri, Gëzim Kryeziu më 18.9.2019  në cilësinë e personit zyrtar, ekzaminer në Qendrën e Patentë Shoferëve në Prishtinë, shfrytëzon detyrën zyrtare dhe tejkalon kompetencat, merr instruksione  nga i pandehuri Ekrem Zhegrova që t’i ndihmojë kandidates Sh.H., në dhënien e provimit teorik për patentë shofer.

Sipas Prokurorisë, ai fillimisht i afrohet ku ishte ulur tani e dëmtuara, i prek me gisht përgjigjet e sakta me qëllim që kandidatja ta kalojë provimin në mënyrë të kundërligjshme pa pasur njohuri të mjaftueshme.

Me këtë, sipas Prokurorisë,  Gëzim Kryeziu, ka kryer veprën penale – keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Ndërkaq i pandehuri Ekrem Zhegrova, më 18 shataor 2019 rreth orës 10:00 deri sa ishte duke punuar ne sektorin privat “Money Gram”, arkëtar, në afërsi të Qendrës së Patentë Shoferëve në Prishtinë është takuar me të dëmtuarën Sh.H., kandidate për t’iu nënshtruar provimit teorik për patentë shofer, në mënyrë të drejtpërdrejt kërkon nga ajo shumën e parave në vlerë prej pesëqind euro.

Sipas aktakuzës ai i kishte marre ato me qëllim që t’i ndihmojë që e njëjta ta kalojë provimin duke i dhënë instruksione si të veprojë e duke i thënë përderisa të mos afrohet ekzaminuesi për të ndihmuar mos ta prekë asnjë përgjigje, ku nga masat e fshehta të aplikuara shihet se fjala ishte për ekzaminuesin Gëzim Kryeziu, i cili shihet duke i ndihmuar në mbushjen e testit kandidates Sh.H.