Policët e akuzuar për ryshfet, prokurori kërkon t`i ndërrohet statusi dëshmitarit bashkëpunues

 

Dy hetuesit e Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, të akuzuar nga Prokuroria për marrje të ryshfetit, janë ballafaquar sërish me dëshmitarin bashkëpunues në këtë rast, D. H.

D. H. tha se e ka e thirrë të akuzuarin Lutfi Menxhiqi dhe ai i ka thënë se gjendet në Turqi.

“E kam thirrë Lutfiun dhe më ka thënë se është në Turqi, për gara të sportit. Ai më ka thënë “thirre Lavdimin dhe takoje”, por Lutfiu nuk e besoj se e ka ditë, se për çka do të takohem me Lavdimin”, tha D. H.

Tutje ai shtoi se, pas një kohe e ka telefonuar sërish Lutfi Menxhiqin.

“Kam bisedu me Lutfiun dhe e kam pyet se a ka kontroll te një lagje në Fushë Kosovë. Ai më tha “po dal po këqyri çka ka”, pastaj e kam thirrë shumë herë, por ai s’ma ka hapë telefonin”, shtoi D. H.

I njëjti sërish deklaroi se, qëllimi i takimit ishte për hakmarrje.

Ndërsa prokurori i rastit, Rafet Halimi propozoi që të ndërpritet seanca, të revokohet urdhri i lëshuar i procedurës paraprake dhe t’i ndërrohet cilësia dëshmitarit bashkëpunues.

“Propozoj që të ndërpritet kjo seancë dhe konform nenit 238 të Kodit të procedurës penale, kërkoj që të revokohet urdhëri i lëshuar i procedurës paraprake, dhe t’i ndërrohet cilësia e dëshmitarit bashkëpunues, pasi Prokuroria konsideron se dëshmitari është duke deklaruar rrejshëm në pjesë të rëndësishme dhe dëshmitari s’është duke e tregu të vërtetën”, tha prokurori Halimi.

“Paraprakisht dëshmitari të lajmërohet dhe njëherë për dhënien e dëshmisë së rreme, sepse dëshmitari prej fillimit nuk e tregon të vërtetën e plotë dhe është duke vepruar në kundërshtim me udhëzimet e gjyqtarit të procedurës paraprake në formë të shkruar, në prani të mbrojtësit të tij, Hamdi Jashari, më datë 23 qershor 2020. I njëjti të njoftohet për veprën penale, të dhënies së dëshmisë së rreme si dëshmitar bashkëpunues që është paraparë me kodin penal të Republikës së Kosovës”, shtoi prokurori Halimi.

Pas shqyrtimit të propozimit të prokurorit për ndërprerjen e seancës, seanca e sotme e shqyrtimit gjyqësor u ndërpre, duke e aprovuar kërkesën e prokurorit. Ndërsa sa i përket kërkesës lidhur me revokimin e urdhërit të shpalljes së dëshmitarit bashkëpunues, të nxjerrë më 23 qershor 2020 nga gjyqtari i procedurës paraprake, Gjykata do të vendosë në seancën e shqyrtimit gjyqësor.

Në seancën e ardhshme do të vazhdojë të dëgjohet, dëshmitari bashkëpunues D. H. dhe dëshmitari D. B.

Seanca e radhës u caktua për datën 8 prill, në ora 13:10.

Aktakuza

Sipas aktakuzës Lavdim Osmani dhe Lutfi Menxhiqi, në fillim të muajit nëntor 2019, në Prishtinë, afër Gjykatës Kushtetuese, në cilësinë e personave zyrtarë – hetues në Drejtorinë e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, në mënyrë të drejtpërdrejtë kishin pranuar ryshfet që të  mos veprojnë sipas detyrës zyrtare.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit paraprakisht janë takuar në një kafiteri me D. H. dhe kanë arritur marrëveshje që në këmbim të ryshfetit mos të ndërmarrin veprime për luftimin e lojërave të fatit.

Sipas aktakuzës të njëjtit sapo kishin nga kafiteria kanë shkuar afër Gjykatës Kushtetuese, janë takuar me Driton Berishën dhe nga ai kanë pranuar ryshfet në vlerë 1,500 euro, në prezencë të D. H., me ç’rast së bashku kanë arritur marrëveshje që të akuzuarit nuk do të ndërmarrin veprime hetimore ndaj lojërave të fatit dhe kanë premtuar bashkëpunim të kundërligjshëm në të ardhmen, në këmbim të marrjes së ryshfetit, edhe pse kanë qenë në dijeni se lojërat e fatit kanë qenë të ndaluara me ligj.

Sipas aktakuzës, ky ryshfet ndahet në mes të akuzuarve në dy pjesë nga 1,250 euro dhe 500 euro ia dërgojnë kolegut të tyre Faton Zabërgja.

Për këto veprime akuzohen për veprën penale të kryer në bashkëkryerje “marrje ryshfeti”.

Sipas aktit akuzues, Lavdim Osmani më 9 janar 2020, rreth orës 18:00, në Prishtinë, në rrugën C, në cilësinë e personit zyrtar – hetues në Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pranon ryshfet që mos veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që paraprakisht dëshmitari M. M., në një restorant në rrugën Prishtinë Lipjan, ia dorëzon dëshmitarit bashkëpunues D. H., paratë në vlerë prej 3,000 euro, ky i fundit niset me veturë menjëherë dhe vazhdon për në Prishtinë, lagje Mati 1, në rrugën C, ku i pandehuri ishte duke e pritur, hynë në veturë dhe nga D. H. i merr paratë në vlerë prej 3,000 euro.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Tutje, me 5 shkurt 2020, Lavdim Osmani akuzohet se rreth orës 17:30, në Prishtinë, në rrugën C, Mati 1, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar ryshfet që mos të veprojë, në kundërshtim me detyrën e tij zyrtare, në atë mënyrë që nën masat e simulimit të  veprës penale të korrupsionit, paraprakisht dëshmitari M. M. ia dorëzon paratë prej 3,000 euro D. H., pastaj ky i fundit niset menjëherë dhe gjatë rrugës një pjesë të kartëmonedhave i ndërron, ndërsa një pjesë të parave në vlerë prej 1,300 euro ia dorëzon të pandehurit Lavdim Osmani dhe të tjerat i ndal për vete, e pasi i pandehuri Lavdim Osmani del nga vetura menjëherë arrestohet nga Inspektorati Policor i Kosovës dhe në xhepin e tij gjenden paratë të cilat ishin nën masën e simulimit.

Për këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “marrje ryshfeti”.

Sipas aktakuzës, Lutfi Menxhiqi akuzohet se më 4 dhjetor 2019 ka keqpërdorur detyrën apo autoritetin zyrtar, ashtu që pasi ishin marr vesh paraprakisht në një takim në fillim të muajit nëntor 2019 në Prishtinë, në një kafiteri, me dëshmitarin D. B. dhe D. H., për t’i njoftuar për aksionet e policisë, duke shfrytëzuar detyrën zyrtare i dërgon informata dëshmitarin bashkëpunues D. H. me qëllim që të përfitojë dobi pasurore.

Në aktakuzë thuhet se e ka bërë në atë mënyrë që me 4 dhjetor 2019, D. H. e thërret në telefon të pandehurin dhe i kërkon informata nëse ka filluar ndonjë kontroll nga policia ndaj lojërave të fatit, vetëm pas pak kohës në orën 21:23, i pandehuri nga telefoni i tij personal, përmes rrjetit “Viber”, i dërgon mesazh D. H. duke e njoftuar se policia ka filluar kontrollin në Fushë Kosovë duke i shkruar: “D. H. po dal vet, po kqyri se sot i fushë Kosovës pom doket paska hi s`iu kishin dhanë kompetencë edhe stacioneve mo me hi në do raste tani i dorëzojnë te na, po unë po nisna menjëherë po kqyri çka ka”, e krejt kjo edhe pse i pandehuri e dinte se lojërat e fatit ishin të ndalura me ligj.

Për këtë akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje në aktakuzë thuhet se Menxhiqi, me 5 shkurt 2020, në orën 22:40, në fshatin Stanoc i Poshtëm, Komuna e Vushtrrisë,  në shtëpinë e tij ka mbajtur në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar armë në shkelje të ligjit të zbatueshëm, në atë mënyrë që gjatë kontrollit sipas urdhër kontrollit të Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda dhe zbatuar nga Inspektorati Policor i Kosovës, te i pandehuri janë gjetur armë automatike të zjarrit, 2 pushkë automatike AK-47, numër serik 0462-89 dhe numër serik 85NU2414, me dy karikatorë dhe të gjitha janë konfiskuar nga Inspektorati Policor i Kosovës.

Për këtë akuzohet për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Gjykata mori aktvendim, ku aprovohet pranimi i fajësisë për të akuzuarin Lutfi Menxhiqi për veprën penale të përshkruar në pikën 6 të dispozitivit të aktakuzës, që ka të bëjë me veprën penale, Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve nga neni 366 paragrafi 1 i KPRK. Ndërsa u refuzua kërkesa e mbrojtësve për ndërprerjen e arrestit shtëpiak në këtë fazë të procedurës, por kjo mbeti të shqyrtohet jashtë shqyrtimit, çoftë atij gjyqësor, të dytë apo pas mbajtjes së arrestit shtëpiak.

Dosja: Si merrnin para Policët e Kosovës nga bastoret