Mbledhja e KGJK-së, raportohet se nuk është përmbushur numri i paraparë për bashkëpunëtorë profesional në gjykata
Në mbledhjen e 323-të të KGJK-së, mbajtur më 29.03.2024, kryetari i komisionit për bashkëpunëtorë profesional, gjyqtari Agron Maxhuni konfirmoi se janë pranuar 22 bashkëpunëtorë profesional për Gjykatën e Apelit dhe Gjykatat Themelore.
Por ai përmendi se konkursi i shpallur nga KGJK më 09.11.2023 parashihte rekrutimin e 26 bashkëpunëtorëve, apo 4 më shumë nga ç’janë pranuar.
Maxhuni bëri të ditur se për këto pozita kanë konkuruar 109 kandidatë, prej të cilëve 12 aplikime kanë qenë të pranueshme.
“Testi me shkrim është mbajtur në Fakultetin Juridik, dhe testit i janë nënshtruar 85 kandidatë, prej të cilëve 53 kandidatë kanë qenë femra dhe 29 meshkuj. Testin e kanë kaluar 35 kandidatë, kurse të tjerët nuk e kanë arritur pragun prej 47 pikëve” – tha para anëtarëve të KGJK-së gjyqtari Agron Maxhuni.
Mëtej ai shpjegoi se deri në muajin mars të këtij viti janë intervistuar 35 kandidatë.
Sipas raportit të ofruar nga kryetari i komisionit në fjalë ky do të jetë numri i bashkëpunëtorëve profesional që do të ju shtohen gjykatave prej 02.04.2024:
Në Gjykatën e Apelit: 8 bashkëpunëtorë profesional
Gjykata e Prishtinës: 4 bashkëpunëtorë profesional
Dega në Podujevë dhe Dega e Lipjani nga një kandidat
Gjykatën e Prishtinës, Dega në Drenass: 1 kandidat
Gjykata e Prizrenit: 1 kandidat
Gjykata e Prizrenit, Dega në Suharekë: 1 kandidat
Gjykata e Gjilanit: 2 kandidatë
Gjykata e Gjilanit, Dega në Kamenicë: 1 kandidatë
Gjykata e Pejës, Dega në Deçan: 1 kandidatë
Gjykata e Gjakovës, Dega në Rahovec: 1 kandidat
“Gjithsejt 22 bashkëpunëtorë profesional” – deklaroi Agron Maxhuni.
Sipas listës së publikuar 14 bashkëpunëtore janë gra, 8 janë burra.
Ai tha se nga radhët e komuniteteve kanë pasur vetëm një kandidat, por i njëjti nuk i është nënshtruar provimit me shkrim.
Kryesuesi Albert Zogaj falënderoi komisionin për rekrutim, për siç tha ai transparencë dhe meritokraci.
Anëtarët e KGJK-së votuan në mënyrë unanime konfirmuan listën e bashkëpunëtorëve profesional.