Prokuroria ia lehtëson veprën penale të akuzuarit për vrasjen e gruas në Gjakovë

Në gjykimin ndaj Xhafer Shkodrës, i akuzuar se duke pastruar armën kishte qëlluar gruan e tij, Rabe Shkodra, sot planifikohej të thuhej fjala përfundimtare.

Mirëpo, paraprakisht prokurori Ali Uka, njoftoi Gjykatën se ka bërë rikualifikimin juridik të veprës penale, nga vrasja e rëndë në veprën penale të vrasjes nga pakujdesia.

Prokurori Uka, tha se ky rikualifikim është bërë sepse i akuzuari nga pakujdesia ka privuar nga jeta gruan e tij Rabe Shkodra dhe se kjo gjë kishte ndodhur pa dashje.

Pas kësaj, i akuzuari Xhafer Shkodra, deklaroi se e pranon që vrasjen e ka bërë nga pakujdesia.

“Unë e pranoj që e kam bërë nga pakujdesia sepse nuk kam dashur. Ndërsa për armëmbajtje pa leje e pranoj që kam gabuar që se kam dorëzuar më herët, por e kemi ditur që ajo nuk punonte”, deklaroi i akuzuari Xhafer Shkodra.

Në anën tjetër mbrojtësi i palës së dëmtuar, avokati Muharrem Hadri, e kundërshtoi rikualifikimin e veprës penale nga ana e Prokurorisë si dhe pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit dhe theksoi se do të bëjë ankesë për rikualifikimin e veprës penale nga ana e prokurorit.

Më pas, prokurori Ali Uka në fjalën e tij përfundimtare tha se kjo vrasje nga pakujdesia është vërtetuar në dëshmitë e dëshmitarëve e sidomos atë të vajzës së tyre Leonora Shkodra, e cila kishte dëgjuar prindërit e saj duke thënë që arma ishte e prishur dhe se nuk punon, si dhe dëshmitë e djemve të tyre Shaini dhe Januzi që kishin thënë se babain e tyre e kishin parë të habitur.

“Përveç dëshmive të dëshmitarëve më këtë proces edhe nga mbrojtja e të akuzuarit, raportet e bëra nga policia dhe atë të vendit të ngjarjes dhe provat tjera materiale është vërtetuar se i njëjti e ka kryer veprën penale të vrasjes nga pakujdesia dhe mbajtjes në kontroll të paautorizuar të armës”, deklaroi prokurori Ali Uka.

Ndërsa mbrojtësi i të akuzuarit Xhafer Shkodra, avokati Agim Haraçia kërkoi nga gjykata që me rastin e caktimit të dënimit si rrethanë lehtësuese ta merr parasysh pranimin e fajësisë nga i mbrojturi i tij.

“Pasi që i mbrojturi im është në paraburgim që 1 vit, i propozoj gjykatës që i njëjti të lirohet nga paraburgimi deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit”, deklaroi avokati Agim Haraçia.

Shpallja e aktgjykimit së këtij rasti, do të bëhet me datën 11 shtator, nga trupi gjykues Nikollë Komani, Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli.

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi për këtë rast.

Ekskluzive: Prokuroria rrëzon tezën e policisë se vrasja 61 vjeçares në Gjakovë ishte aksidentale

Në muajin e kaluar, kishte dhënë mbrojtjen i akuzuari Xhafer Shkodra.

Vajza pyet babanë në gjykatë: Pse më është vrarë nëna?

Në këtë rast kishte dëshmuar vëllai i të ndjerës, Rabe Shkodra.

Rrëfimi i vëllait për vrasjen e motrës nga dhëndri i akuzuar

Xhafer Shkodra, po akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Rabe Shkodra nga afërsia.

Aktakuza e Prokurorisë, deri më sot e rëndonte Xhafer Shkodrën për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe për armëmbajtje pa leje.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

 

Eksperti i armëve dëshmon në gjykimin e të akuzuarit për vrasjen e gruas

 

Në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari Xhafer Shkodra ishte deklaruar i pafajshëm.

Ai kishte thënë se nuk ka pasur për qëllim ta vrasë gruan e tij dhe se e njëjta ishte vrarë “pa hiri”.

Rrëfimi i Xhafer Shkodrës gruan e vrava “pahiri”

Xhafer Shkodra gjendet në paraburgim që nga data 20 gusht 2018.

Sipas aktakuzës, për shkaqe ende të panjohura derisa i pandehuri Xhafer Shkodra dhe bashkëshortja e tij Rabe Shkodra ishin duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tyre, i njëjti me një gjuajtje në gjoks në afërsi të drejtpërdrejtë e vret atë.

Aktakuza thotë se i pandehuri pas këtij momenti menjëherë është larguar, ndërsa fëmijët e kishin dërguar nënën e tyre në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

Vrasja e gruas: Hetimet e Prokurorisë zbardhin vrasje në rastin që Policia e quajti aksident

.