Gjykimi për vrasje ndaj Xhafer Shkodrës - Gjakovë - 29.07.2019

Rrëfimi i vëllait për vrasjen e motrës nga dhëndri i akuzuar

Në gjykimin e Xhafer Shkodrës, i akuzuar për vrasjen e gruas, ka dhënë dëshminë miku i të akuzuarit (vëllai i viktimës, Rabe Shkodra) Din Ademaj.

Ai tregoi se motra e tij me dëshirë e kishte marrë burrin e saj dhe se ishte befasuar kur kishte dëgjuar për vrasjen.

“Qejfi jonë atëherë nuk ka qenë që ata të merren mes vete, por pasi motra ka dashur atëherë ne pastaj jemi pajtuar”, deklaroi Din Ademaj.

Vëllai i të ndjerës Rabe Shkodra, Din Ademaj tha se vetëm njëherë kishin ndërruar disa fjalë lidhur me nënën e tij.

“Para disa viteve nëna ime ka qenë në shtëpinë e Xhaferit dhe ky kishte lëshuar muzikë e kishte pirë dhe nëna ishte larguar nga shtëpia. E mua Xhaferi më ka thirrë ta marr nënën, e më ka thënë që s`po do me nejt”, deklaroi Din Ademaj.

Ai tregoi se për vrasjen kishte kuptuar në ora dy të natës, nga nipi i tij Shaini.

“Më ka thirr nipi Shaini në telefon dhe më ka thënë që Rabja është pak smut dhe menjëherë kur kam shkuar në spital e kam kuptuar që ka vdekur”, deklaroi Din Ademaj.

“Në fillim më kanë thënë që motra e ka vrarë veten, por pas ditës së varrimit kanë thënë që e ka vra Xhaferi, i cili nuk ka qenë në varrim”, tha ai.

Ai tha se me vajzat dhe nipat i kanë marrëdhëniet e mira, përveç me nipin Shainin.

“Shaini na ka tradhëtu, sepse s`na ka tregu të vërtetën, por në media ka thënë se Raba e ka pasur revolen që nga paslufta dhe e ka vrarë veten, e pasi kemi kuptuar që motra na është vrarë, ne nuk kemi shkuar më aty, por ju kemi thënë mbesave të vijnë te na”, deklaroi Din Ademaj.

“Mua personalisht Raba asnjëherë s`më ka thënë asgjë, por përmes nënës sime kam dëgjuar që nëna brengoset, sepse njëherë ka thënë që “Raba nuk guxon me lujt prej Xhaferit”, deklaroi Ademaj.

Xhafer Shkodra, po akuzohet nga Prokuroria për vrasjen e bashkëshortes së tij, Rabe Shkodra.

Më pas dëshmoi edhe vajza e axhës së të ndjerës Rabe, Nerxhivane Qorri, mërgimtare nga Zvicra.

Ajo tregoi se të ndjerën Rabe e kishte pasur sikur motër.

“Ish burri jem ka qenë sebep që Raba të martohet me Xhaferin”, deklaroi Nerxhivane Qorri.

Ajo tregoi se me të ndjerën kishte kontakt në telefon dhe se e njëjta ia kishte treguar disa raste të saja me Xhaferin.

“Rasti parë është kur Raba më ka treguar para dy viteve për Xhaferin dhe djalin Shainin, ku Xhaferi kishte dashur ta gjuaj Shainin me revole, pas një fjalosjeje”, tha ajo.

“Rasti i dytë është kur Rabja më ka kërkuar të holla për shërimin e syrit të djalit tjetër Abedinit, e pastaj kam kuptuar që Xhaferi e kishte goditur në sy”, deklaroi ajo.

“Rasti i tretë është kur Raba më ka treguar që ka pirë detergjent se ju kishte mërzitur jeta. Raba më ka thënë që Xhaferi nuk kujdeset për fëmijët e gjithashtu më ka thënë që atij para 20 viteve i ka humbur një vajzë dhe kurrë nuk e ka kërkuar”, deklaroi dëshmitarja Nerxhivane.

Nerxhivane Qorri tregoi se vajza e axhës së saj që e kishte sikur motër, kishte varfëri dhe se nuk e kishte jetën e lehtë.

“Unë kam dëgjuar nga njerëzit se atë natë Shaini është fjalosur me disa komshi e më pas Xhaferi ka marrë revolen me e mbajt afër”, deklaroi ajo.

“Atë natë fëmijët kanë pasur trauma, vajzat kanë thënë gjëra të ndryshme p.sh.: më kanë thënë ti je mama jonë ose sonte vjen mama, e poashtu kam parë disa hapa që kanë qarkulluar e i kanë pirë vajzat”, deklaroi Nerxhivane Qorri.

Pas kësaj vajza e të ndjerës, e dëmtuara Leonora Shkodra, tha se të gjitha këto që i thotë tezja Nerxhivane janë të vërteta.

“Këto probleme e mosmarrëveshje mes prindërve kanë ndodhur derisa ne fëmijët kemi qenë më të vegjël e më pas jo”, tha Leonora.

Ndërsa i akuzuari Xhafer Shkodra tha se nuk është e vërtetë çka thotë dëshmitarja Nerxhivane Qorri.

“Nuk është e vërtetë që unë kam dashur të gjuaj në Shainin, revolen e kam gjetur qysh prej shtëpive të serbëve dhe asnjëherë nuk kam gjuajtur, përveç natën kur ka ndodhur rasti me Rabën”, tha i akuzuari Xhafer Shkodra.

Ndërkaq kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani bashkë me anëtarët Mentor Bajraktari dhe Besarta Doli, caktuan datën 13 gusht, për mbrojtjen e të akuzuarit.

Aktakuza e Prokurorisë, e rëndon Xhafer Shkodrën për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe për armëmbajtje pa leje.

Kallxo.com kishte raportuar edhe më herët për këtë rast.

 

https://kallxo.com/eksperti-i-armeve-deshmon-ne-gjykimin-e-te-akuzuarit-per-vrasjen-e-gruas/

Në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari Xhafer Shkodra ishte deklaruar i pafajshëm.

Ai kishte thënë se nuk ka pasur për qëllim ta vrasë gruan e tij dhe se e njëjta ishte vrarë “pa hiri”.

https://kallxo.com/rrefimi-i-xhafer-shkodres-gruan-e-vrava-pahiri/

Xhafer Shkodra është në paraburgim që nga data 20 gusht 2018.

Sipas aktakuzës, për shkaqe ende të panjohura derisa i pandehuri Xhafer Shkodra dhe bashkëshortja e tij Rabe Shkodra ishin duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tyre, i njëjti me një gjuajtje në gjoks në afërsi të drejtpërdrejtë e vret atë.

Aktakuza thotë se i pandehuri pas këtij momenti menjëherë është larguar, ndërsa fëmijët e kishin dërguar nënën e tyre në Spitalin Rajonal të Gjakovës.

https://kallxo.com/ekskluzive-prokuroria-rrezon-tezen-e-policise-se-vrasja-61-vjecares-ne-gjakove-ishte-aksidentale/

https://kallxo.com/vrasja-e-gruas-hetimet-e-prokurorise-zbardhin-vrasje-ne-rastin-qe-policia-e-quajti-aksident/

 

 

Gjykimi për vrasje, armë pa leje, Nikollë Komani, Mentor Bajraktari, Besarta Doli, Ali Uka, Xhafer Shkodra, Agim Haraçia, Leonora Shkodra, Muharrem Hadri, Din Ademaj, Nerxhivane Qorri