5 vite burg për vrasjen e bashkëshortes

Xhafer Shkodra është dënuar me burg me dënim unik prej 5 vite e dy muaj për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje.

Prokuroria fillimisht akuzonte Xhafer Shkodren për vrasje të rëndë, se duke pastruar armën kishte qëlluar ish-gruan e tij, Rabe Shkodra.

Në seancën e fjalës përfundimtare, prokurori i rastit Ali Uka bëri rikualifikimin e veprës penale dhe më pas i akuzuari Xhafer Shkodra kishte pranuar fajësinë.

Në muajin e kaluar, kishte dhënë mbrojtjen i akuzuari Xhafer Shkodra.

Në këtë rast kishte dëshmuar vëllai i të ndjeres, Rabe Shkodra.

Xhafer Shkodra, po akuzohet për vrasjen e bashkëshortes së tij, Rabe Shkodra nga afërsia.

Aktakuza e Prokurorisë, deri më sot e rëndonte Xhafer Shkodrën për veprën penale të vrasjes së rëndë dhe për armëmbajtje pa leje.

Në seancën e shqyrtimit fillestar, i akuzuari Xhafer Shkodra ishte deklaruar i pafajshëm.

Ai kishte thënë se nuk ka pasur për qëllim ta vrasë gruan e tij dhe se e njëjta ishte vrarë “pa hiri”.

Xhafer Shkodra gjendet në paraburgim që nga data 20 gusht 2018.

Sipas aktakuzës, për shkaqe ende të panjohura derisa i pandehuri Xhafer Shkodra dhe bashkëshortja e tij Rabe Shkodra ishin duke qëndruar në ballkonin e shtëpisë së tyre, i njëjti me një gjuajtje në gjoks në afërsi të drejtpërdrejt e vret atë.

 Aktakuza thotë se i pandehuri pas këtij momenti menjëherë është larguar ndërsa fëmijët e kishin dërguar nënën e tyre në Spitalin Rajonal të Gjakovës.