Prokuroria dështon në provën e saj kryesore në gjykimin ndaj ish-drejtorit të Financave në Prizren

 

Gjashtë muaj nga ngritja e aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Financave Ertan Simitçi, gjykimi ndaj tij është në fazën fillestare.

Ende pa filluar mirë gjykimi, prokuroria ka dështuar në provën e saj kryesore, ekspertizën financiare.

Kjo pasi që kryetarja e turpit gjykues gjyqtarja Ajser Skenderi ka refuzuar ekspertizën financiare të Prokurorisë duke e shpallur provë të pavlefshme.

Ish-drejtori i dorëhequr po akuzohet për lidhje të kontratave pa procedurë të tenderimit me disa media lokale.

“Për hir të transparencës dhe llogaridhënies, nga sot jap dorëheqje nga pozita e drejtorit”, kishte thënë Simitçi në ditën e dorëheqjes.

E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj Zenel Ahmetajt për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015 në Prizren, i cili atë kohë mbante postin e Ushtruesit të Detyrës së Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e  Prizrenit.

Me datë 21 tetor të 2019 gjyqtarja Ajser Skenderi kishte marrë aktvendim dhe ekspertizën financiare të propozuar nga Prokuroria e ka shpallur të papranueshme, dhe kjo ekspertizë është veçuar nga shkresat e lëndës.

Ndaj këtij vendimi prokurori i rastit, Mehdi Sefa kishte ushtruar ankesë, por Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë.

Prokuroria bashkë me aktakuzën kishte paraqitur si provë ekspertizën financiare të datës 29 gusht 2017.

Sipas Kodit të Procedurës Penale, para angazhimit të ekspertit Prokurori i Shtetit nxjerr vendim me të cilin i paraqet ekspertit pyetje specifike në të shkruar që janë të rëndësishme për fajësinë ose pafajësinë e të pandehurit, gjithashtu prokurori e përcakton emrin e ekspertit dhe paraqet bazën për ekspertizën e specifikuar të ekspertit.

Ky veprim i Prokurorisë bëhet gjatë fazës së hetimit, përderisa mbrojtësit e të dyshuarve në këtë fazë kanë të drejtën e kundërshtimit  për përzgjedhjen e ekspertit tek gjyqtari që mbikëqyr hetimin.

Në rastin konkret në shkresat e lëndës ku janë aktakuza dhe provat materiale Gjykata nuk ka gjetur një vendim të tillë i nxjerrë nga ana e Prokurorisë për caktimin e ekspertit financiar për të akuzuarit Zenel Ahmetaj dhe Ertan Simitçi.

Këtë fakt nuk e ka mohuar as prokurori i rastit i cili në seancën e datës 21 Tetor, kishte deklaruar se ekspertiza është përpiluar për një lëndë tjetër, për një të pandehur tjetër.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ertan Simitçi avokati Durim Nevzati thotë se i mbrojturi i tij vendimet e kryetarit të atëhershëm të Komunës i kanë cilësuar si të ligjshme dhe të detyrueshme andaj edhe kanë vepruar konform këtij vendimi, duke mos e favorizuar asnjë subjekt konform vendimit të ish kryetari të Komunës Ramadan Muja.

Në seancën e ardhshme të 28 Shkurtit, në cilësi të dëshmitarit do të dëgjohen përfaqësuesit e Televizioneve Lokale të cilët prokuroria po pretendon në akuzë se janë përfitues nga veprimet e kundërligjshme të të akuzuarve.

Ekspertiza financiare e shpallur si provë e pranueshme theksonte se për vitin 2015 dhe 2016 nga Zenel Ahmetaj si ushtrues detyre i drejtorit të Financave dhe gjatë vitit 2016 nga Drejtori i Financave në Komunën e Prizrenit Ertan Simitçi janë lidhur kontrata me TV lokale në shuma të përgjithshme prej 11.800 Euro.

Komuna e Prizrenit gati 5 muaj kishte mbetur  pa drejtor të financave deri në emërimin e drejtori të ri nga Mytaher Haskuka.

Lidhja  e kontratave të kundërligjshme dhe pa procedura të tenderimit ka vënë para drejtësisë shumë ish pushtetarë në Komunën e Prizrenit.

Kujtim Gashi aktualisht deputet në Parlamentin e Kosovës, po akuzohet për kohën sa mbante pozitën e kryesuesit të Asamblesë Komunale.

Nijazi Kryeziu, ish këshilltar i Kadri Veselit po akuzohet për periudhën kohore sa ushtronte detyrën e Drejtorit të Urbanizmit në Komunën e Prizrenit.

Ndërsa ish drejtori Hasan Hasani me të filluar procedura gjyqësore kishte pranuar fajësinë për këto vepra penale, dhe është dënuar me dënim me gjobë në shumën prej 3,000 Euro.

Për këto veprime Gjykata e Prizrenit në maj të vitit 2018 e kishte shpallur fajtor ish drejtorin e Administratës Ilir Baldedaj, duke e dënuar me dënim me kusht, e ky dënim është vërtetuar edhe nga Gjykata e Apelit në shkurt të vitit 2019.