Komuna e Prizrenit - Foto: KALLXO.com

Pesë muaj pas dorëheqjes, emërohet drejtori i ri i Financave në Prizren

Drejtoria për Ekonomi dhe Financa në komunën e Prizrenit nga sot do të udhëhiqet nga Furkan Erguler.

Ky emërim ka ardhur pas pesë muajsh që kur Ertan Simitçi kishte dhënë dorëheqje nga posti i Drejtorit për Financa në komunën e Prizrenit pas akuzave nga Prokuroria për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Simitçi akuzohet për veprimet e kryera në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016, në kohën kur kjo komunë udhëhiqej nga Ramadan Muja i PDK-së.

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes një publikimi në Facebook ka bërë të ditur emërimin e Erguler.

Haskuka ka thënë se Erguler ka përvojën e duhur për të udhëhequr drejtorinë e Ekonomisë dhe Financave.

“Drejtoria për Ekonomi dhe Financa tani e tutje do të udhëhiqet nga drejtori i ri, Furkan Erguler. Ai ka përfunduar studimet universitare në Fakultetin e Shkencave Politike të Universitetit të Ankarasë dhe vjen nga komuniteti i biznesit në qytetin tonë, duke pasur përvojën e duhur profesionale për ta udhëhequr këtë drejtori. Drejtorit Erguler i uroj suksese në pozitën e re dhe besoj që me anë të angazhimit dhe përkushtimit të tij, do të vazhdojmë me suksese në këtë drejtori”, ka shkruar Haskuka.

Furkan Erguler, sikurse edhe drejtori paraprak Ertan Simitçi, vjen nga radhët e partisë turke KDTP e cila është në koalicion qeverisës bashkë me Vetëvendosjen në Komunën e Prizrenit.

Më 1 gusht, Prokuroria e Prizrenit kishte njoftuar për ngritjen e aktakuzës ndaj Ertan Simitçi, që po mbante postin e Drejtorit në Drejtorinë e Financave në Komunën e Prizrenit.

Ertan Simitçi akuzohet se në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në kohën kur kjo Komunë udhëhiqej nga Ramadan Muja i PDK-së, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e  Prizrenit  ka lidhur kontratë pa ndonjë procedurë të tenderimit me disa media.

Me 23 gusht, KALLXO.com kishte raportuar se kryetari i Komunës Haskuka vazhdonte të organizonte debatet publike për buxhetin e vitit 2020 bashkë me drejtorin që tashmë ndaj tij kishte të ngritur aktakuzë.

Të njëjtën ditë, ambasada amerikane në Kosovë kishte përkrahur shoqërinë civile duke shprehur mbështetje që të njëjtit kanë folur për sundimin e ligjit.

Vetëm 3 ditë më vonë, ish – drejtori Simitçi bashkë me kryetarin Haskuka në një konferencë për media kishte njoftuar se ka ofruar dorëheqjen e tij nga pozita e Drejtorit, “ Për hir të transparencës dhe llogaridhënies, nga sot jap dorëheqje nga pozita e drejtorit”,  ishte deklaruar Simitçi.

Simitçi kishte thënë se me nënshkrimin e drejtorit janë bërë pagesat e faturave, por i njëjti si drejtor nuk ka nënshkruar asnjëherë vendimet për të cilat po akuzohet, ndërsa pagesa të këtilla janë bërë që nga viti 2008 e deri në vitin 2014 dhe asnjëherë nuk ka pasur vërejtje nga Zyra Kombëtare e Auditimit apo nga opinion tjetër.

Vërejtje për punën e Prokurorisë kishte shfaqur edhe kryetari Haskuka, duke thënë se aktakuzën ndaj drejtorit të tij e sheh si tendencioze, “për të njollosur qeverisjen e mirë në Komunën e Prizrenit”.

Procesi gjyqësor ndaj ish drejtorit të Financave, Ertan Simitçi, është duke vazhduar.