Foto: Ilir Baldedaj/Facebook

I dënuar dhe i akuzuar, garon për deputet me AAK-në

Për zgjedhjet e jashtëzakonshme të datës 6 tetor koalicioni AAK-PSD ka publikuar listën e saj me 110 kandidatë.

Nga Rajoni i Prizrenit, AAK-ja ka përfshirë në listën e saj kandidatë që në të kaluarën por edhe sot vazhdojnë të përballen me ligjin.

Ilir Baldedaj, që në listën e AAK-së mban numrin 88 e aktualisht është asamblist në Asamblenë e Prizrenit, gjatë periudhës 2015 dhe 2016 ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, nën qeverisjen e Ramadan Mujës.

Në nëntor të 2017, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj Ilir Baldedajt, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.

Më 25 Maj 2018 Baldedaj u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht, ndërsa në shkurt të vitit 2019, ky dënim u vërtetua nga Gjykata e Apelit.

Ndaj tij pas një hulumtimi nga Kallxo.com me 22 gusht Prokuroris e Prizrenit ka ngritur një aktakuzë tjetër,  për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar.

Deputetët e Prizrenit i testojnë laptopët luksozë

Baldedaj akuzohet se prej datës 13.05.2018 e deri me datën 22.05.2018 ka bërë shpërndarjen e pasurisë jo financiare (laptopë dhe çanta të laptopëve) për asambleistët e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në sasi prej 40 copë, nga sasia totale prej 43 copësh

Në vërtetimin mbi pranimin e laptopëve të nënshkruar nga asambleistët me rastin e pranimit të pasurisë së tillë, nuk figuron kushti që kjo pasuri shtetërore të kthehet pas përfundimit të mandatit publik, ashtu siç parasheh Ligji për menaxhimin e financave publike dhe përgjegjësitë, si dhe Rregullorja e Ministrisë së Financave për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore.

Aktakuza thotë se për 3 laptopë të tjerë nuk ka prova se të njëjtët u janë shpërndarë personave për të cilat kanë qenë të destinuar, duke i shkaktuar buxhetit të shtetit dëm në vlerë prej rreth 19,350.00 euro.