Foto: Kallxo.com

Drejtori i dorëhequr në Prizren del para gjyqit

Kur kanë kaluar 20 ditë nga dorëheqja, Ertan Simitçi ish Drejtori i Financave në Prizren ka dalë para Gjykatës për t’u përballur me akuzat e Prokurorisë së Prizrenit.

Me 26 Gusht Ertan Simitçi në një konferencë për media, pas presionit vendor e ndërkombëtar kishte dhënë dorëheqje nga pozita e Drejtorit komunal të Financave.

Ambasada Amerikane mbështet shoqërinë civile që Haskuka ta shkarkojë drejtorin me aktakuzë

“Për hir të transparencës dhe llogarishënies, nga sot jap dorqëheqje nga pozita e drejtorit”, kishte thënë Simitçiu.

Ertan Simitçi akuzohet se në periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2016 në Prizren, në kohën kur kjo Komunë udhëhiqej nga Ramadan Muja i PDK-së, në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e  Prizrenit  ka lidhur kontratë pa ndonjë procedurë të tenderimit me disa media.

E njëjta akuzë rëndon edhe ndaj Zenel Ahmetajt për periudhën kohore janar – dhjetor të vitit 2015 në Prizren, i cili atë kohë mbante postin e  Ushtrues Detyre të Drejtorit në Drejtorinë për Ekonomi dhe Financa në Komunën e  Prizrenit.

Në shqyrtimin fillestar, të akuzuarit Simitçi dhe Ahmetaj kan mohuar akuzat e Prokurroisë së Prizrenit, duke mso pranuar fajësinë për veprat penale që iu ngarkohen.

Para se të lexonte aktakuzën Prokurori Mehdi Sefa pati një propozim për të akuzuarit.

Prokurori morri shembull një rast të natyrës së njëjtë të zhvilluar pranë Gjykatës së Prizrenit.

Ilir Baldedaj gjatë periudhës 2015 dhe 2016 ka ushtruar detyrën e Drejtorit të Administratës në Komunën e Prizrenit, nën qeverisjen e Ramadan Mujës.

Në nëntor të 2017, Prokuroria e Prizrenit kishte ngritur aktakuzë ndaj Ilir Baldedajt, për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, aktakuzën e përfaqësonte prokurori i njëjtë Mehdi Sefa.

Më 25 Maj 2018 Baldedaj u dënua me gjashtë muaj burgim me kusht, ndërsa në shkurt të vitit 2019, ky dënim u vërtetua nga Gjykata e Apelit.

Andaj duke marrë parasysh rastin e lartpërmendur prokurori Mehdi Sefa i propozoi që të akuzuarit Ertan Simitçi dhe Zenel Ahmetaj që arrijnë marrëveshje për pranim të fajësisë, dhe prokurori do të rekomandonte që ndaj tyre të shqiptohen dënimi i njëjt si ndaj ish zyrtarit të dënuar për të njëjtën çështje.

Por këtë propozim të prokurorit e kundërshtuan mbrojtësit e të akuzuarve avokatët Pjetër Përgjoka dhe Durim Nevzati, duke thënë se të akuzuarit nuk do të pranojnë fajësinë për veprat penale që u ngarkohen.

Gjyqtarja Ajser Skenderi caktoi datën 21 tetor për seancën e radhës deri kur të akuzuarit nëpërmjet mbrojtësve të tyre, kanë të drejtën të paraqesin provat shfajësuese dhe kanë të drejtën të kërkojnë hedhjen e aktakuzë nëse e konsiderojnë të pa bazuar në ligj.

Në Konferencën e datës 26 Gusht, ish Drejtori Ertan Simitçi, kishte qenë kritik ndaj punës së Prokurorisë që po e akuzon atë, duke thënë se kjo Prokurori me urgjencë ka trajtuar rastin e tij, sepse vetëm 18 ditë pasi e kishin marrë në pyetje, është ngritur aktakuza ndaj tij.

Po ashtu, kishte thënë se Prokuroria nuk e ka marrë për bazë vendimin e kryetarit të atëhershëm të Komunës, Ramadan Muja, të cilin vendim Simitçi e ka dorëzuar si provë në Prokurori.

Drejtori i dorëhequr i Haskukës: Unë zbatova vendimet e ish-kryetarit Ramadan Muja

Ertan Simitçi vjen nga radhët e partisë KDTP, e cila është në koalicion qeverisës bashkë me Vetëvendosjen, Nismën Socialdemokrate dhe LDK-në në Prizren.

Ambasada Amerikane kishte dalur në mbështetje të shoqërinë civile, e cila kishte kërkuar nga Haskuka shkarkimin e drejtorit me aktakuzë.

Ambasada Amerikane mbështet shoqërinë civile që Haskuka ta shkarkojë drejtorin me aktakuzë

Sipas biografisë së publikuar në ëeb-faqen e Komunës së Prizrenit, Simitçi pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vitin 2014 është emëruar për herë të parë drejtori i Drejtorisë së Ekonomisë dhe Financave në Komunën e Prizrenit.

Nga data 16 janar 2018 ai është emëruar për herë të dytë në pozitën e drejtorit.