Mbetet në fuqi aktakuza për Njazi Kryeziun

Ish-  Drejtorit të  Urbanizmit në Prizren Nijazi Kryeziu i është refuzuar kërkesa për hedhje të aktakuzës që e ngarkon atë për keqpërdorim të detyrës zyrtare sa ishte Drejtor në Komunën e Prizrenit.

Njazi Kryeziu po akuzohet se në periudhën  janar – dhjetor të vitit 2015, kur ishte Drejtor i Ramadan Mujës kishte lidhur kontratë me një televizion lokal pa tender, duke shkaktuar dëm mbi 7 mijë euor për komunën.

Kryeziu së fundmi ka qenë edhe Këshilltar i Kryeparlamentarit Kadri Veseli, por në qershor të këtij viti u largua nga kjo pozitë pas një premtimi të kryetarit të PDK-së për largimin nga detyra të të gjithë zyrtarëve të partisë që kishin.

“ I papunë “ u deklarua i akuzuari Njazi Kryeziu para gjykatës në seancën e datës 14 tetor, i cili pos kësaj aktakuze është një ndër të akuzuarit edhe në rastin “ Pronto”.

Mbrojtësi i të akuzuarit dhe vetë i akuzuari  Nijazi Kryeziu  qëndruan pranë propozimit të tyre që aktakuza e Prokurorisë të hedhet.

Gjyqtarja Raima Elezi në seancë refuzoi kërkesën dhe propozoi që të caktohet data për fillimin e shqyrtimit kryesor.

Mirëpo mbrojtësi i të akuzuarit avokati Arben Shala, kërkoi që ky vendim i gjykatës të jetë i formës së shkruar që i njëjti të ushtrojë ankesë në Gjykatën e Apelit.

Prokuroria e akuzon Kryeziun se pa hapur ndonjë procedurë tenderuese ka lidhur kontratë me TV Opinion për emitimin e spoteve reklamuese  për sensibilizimin e opinionit publik për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje për nevojat e Drejtorisë së Urbanizmit me të cilën ka udhëhequr.

Dëmi i shkaktuar me lidhjen e kësaj kontrate  cilësohet të jetë në total prej 7 mijë e 200 euro, për periudhën 1 Janar deri më 31 Dhjetor të vitit 2015, në vlerë prej 600 euro në muaj.

Dje Prokuroria e Prizreni ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë edhe ndaj ish kryesuesit të asamblesë Komunale në Prizren Kujtim Gashi aktualisht Ministër në detyrë/

Ai akuzohet se gjatë vitit 2015 deri në tetor të vitit 2016, pa procedurë të tenderimit i kishte lidhur kontratat për transmetimin e seancave të Asamblesë Komunale të Prizrenit me TV “Besa” në shumë prej 250 euro për çdo seancë.

Përpos kontratës me TV “Besa”, Gashi akuzohet se ka lidhur kontratë edhe me TV “Opinion” në shumë prej 400 euro për transmetimin e seancave të Asamblesë Komunale.

Lidhur me këto kontrata, për transmetimin e seancave të asamblesë, Komuna ka paguar në total 8.450 euro në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit Publik, Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësive si dhe Rregulloren e thesarit për shpenzimin e parasë publike.

Përpos Njazi Kryeziut edhe dy ish- drejtorë tjerë janë akuzuar për veprime të ngjashme, për lidhjen e kontratave dhe pagesa pa tender me televizionet lokale.

Hasan Hasani, i cili u akuzua në cilësinë e ish- Drejtorit të Urbanizmit, ka pranuar fajësinë dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 6 muajsh, i cili dënim i është zëvendësuar me gjobë në shumën prej 3 mijë euro.

Ndërsa Ertan Simitçi që edhe gjatë qeverisjes së Mytaher Haskukës ishte emëruar Drejtor i Financave, ka dhënë dorëheqje pikërisht për aktakuzën që është ndaj tij për lidhjen e kontratave pa tender me televizionet lokale.

Simitçi ka mohuar akuzat e Prokurorisë, duke mos e pranuar fajësinë për veprat që i ngarkohen.