Prizren - Kundërshtohet aktakuza në gjykimin e Kujtim Gashit
Në gjykimi e ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashit, u kundërshtua aktakuza e Prokurorisë.
Kujtim Gashi po akuzohet se ka lidhur kontrata të kundërligjshme me dy televizione për transmetimin e mbledhjeve të Asamblesë në kohën kur ishte Kryesues i Asamblesë Komunale të Prizrenit.
Prokurori i rastit Medi Sefa, propozoi që në seancën e radhës si palë e dëmtuar të ftohet përfaqësuesi ligjor i komunës së Prizrenit.
Mirëpo, këtë propozim e kundërshtoi si joligjor mbrojtësi i të akuzuarit Kujtim Gashi, avokati Artan Qerkini, me arsyetimin se në dispozitiv të aktakuzës mungon elementi i dëmit.
Avokati Qerkini në vazhdim kërkoi që aktakuza e Prokurorisë të hudhet poshtë, si e pa mbështetur në prova.
“Konsiderojmë se Gashi nuk ka kryer vepër penale sepse qëllimi i tij ka qenë transparenca dhe Prokuroria me asnjë provë nuk e dëshmon se cili ishte motivi apo interesi i tij, këtu nuk ekziston elementi i dashjes, qëllimi duhet të dëshmohet me prova”, tha avokati Artan Qerkini.
Ai tha se kontratat e lidhura janë ndërprerë menjëherë, pasi që i mbrojturi i tij kishte kuptuar që janë të kundërligjshme.
Në anën tjetër, prokurori Medi Sefa duke kërkuar që të refuzohet kërkesa e palës së akuzuar, tha se kjo kërkesë e avokatit Qerkini nuk është e bazuar, sepse në veprimet e të akuzuarit Gashi kishte ekzistuar dashja dhe qëllimi i veprës.
Gjykimi vazhdoi me replikën e avokatit Artan Qerkini ndaj prokurorit Sefa.
“Zoti Gashi asnjëherë nuk ka pasur këshilltar ligjor gjatë kohës kur ka qenë kryesues i Asamblesë dhe vlen të theksohet se auditimet paraprake para marrjes së detyrës së tij nuk e kanë theksuar faktin se transmetimi i mbledhjeve të Asamblesë se Kuvendit nga televizionet lokale pa procedura të Prokurorimit të ketë qenë procedura ligjore”, deklaroi avokati Artan Qerkini.
Ndërsa, gjykatësja Raime Elezi tha se seanca e radhës do të caktohet pas vendimit lidhur me propozimet e palëve.
Deputeti Kujtim Gashi, po akuzohet për periudhën kohore të vitit 2015 dhe 1016 kur mbante pozitën e Kryesuesit të Asamblesë Komunale të Prizrenit.
Sipas aktakuzës së Prokurorisë se Prizrenit, Kujtim Gashi në cilësinë e Kryesuesit të Asamblesë Komunale në Prizren, ka tejkaluar kompetencat e tij zyrtare, duke keqpërdorur pasurinë publike.
Prokuroria pretendon se Gashi pa procedurë të tenderimit ka lidhur kontrata për transmetimin e seancave të Asamblesë Komunale me “TV Besa, në shumën prej 250 euro për çdo seancë, ndërsa këto pagesa janë autorizuar në shumën prej 1.750 euro.
Gjithashtu sipas aktakuzës, Gashi ka lidhur kontratë me “TV Opinion” në shumën prej 400 euro për transmetim të seancave të Asamblesë Komunale, ndërsa pagesat janë realizuar në shumën prej 6.700 euro.
“Gjithsej për këto dy televizione ka autorizuar pagesa në shumën prej 8.450 euro, në kundërshtim me Ligjin mbi Prokurorimin publik dhe Ligjin mbi menaxhimin e Financave publike”- thuhet në aktakuzë.