Për ngjarjet në Qirez, Gjergj Dedaj thotë se iniciativa e Thaçit i ka ndihmuar të shmangnin “një fat të keq”

Gjergj Dedaj ka përfunduar për sot dëshminë e tij në Gjykatën Speciale, ku për krime të pretenduara të luftës dhe krime kundër njerëzimit po gjykohen ish-eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli e Jakup Krasniqi.

Seanca, e cila ishte kryesisht e hapur për publikun, u mbyll pas ankesës së dëshmitarit.

Dëshmitari i Prokurorisë sot u është përgjigjur pyetjeve të prokurores, të cilat kishin të bënin kryesisht me një ngjarje që kishte ndodhur në Qirez të Drenicës në vitin 1998.

Dedaj sot ka mohuar gjithçka që ka thënë për këtë ngjarje në 25 vitet e fundit. Ai tha se në 90 për qind të deklarimeve të tij për ngjarjen e para një çerek shekulli s’ka qenë “normal”.

Në dëshminë e sotme, duke folur për ndodhinë në Qirez, ai tha se iniciativa e Hashim Thaçit i ka ndihmuar të shmangnin “një fat të keq” dhe të mos akuzohej UÇK-ja për vrasjen e delegacionit i cili kishte shkuar në këtë fshat të Drenicës.

“Nuk e di Hashim Thaçi a u kanë deri te dera, a ka hy në derë e ka thënë: ‘çu dilni’. Por e di se Hashim Thaçi me iniciativën e tij, sepse ka dashtë me na shpëtu, mos me na ndodhë më e keqja që ka mujtë me na ndodhë prej serbëve dhe me u akuzu UÇK-ja që i ka vra deputetët”- deklaroi Dedaj.

Gjithashtu, Dedaj është pyetur për atë që kishte deklaruar në dëshmitë e mëhershme në lidhje me atë që i kishte thënë Tahir Desku.

“Ne ta citojmë Tahir Deskun e të flet Tahir Desku në emër të Shtabit (të Përgjithshëm të UÇK-së), është si me folë Vuçiqi në emër të UÇK-së”- tha Dedaj,

Deklarata e dëshmitarit erdhi pasi prokurorja filloi pyetjet për Tahir Deskun, i cili sipas dëshmitarit kishte deklaruar se në shkollën e Baicës, Tahir Desku i kishte thënë se Shtabi kishte marrë vendim që do t’i vriste tre anëtarë të delegacionit, duke përfshirë edhe Dedajn.

“Kur me ka pa mu, ka ardhë drejt të shtrati ku ishim ulë ne dhe ka bisedu me mua. Me thënë të drejtën të ishte i gjallë nuk isha mërzitë me folë shumë për të, por për njerëz të vdekur nuk ka ma keq se me folë keq. Është edhe një proverb te ne shqiptarët që për të vdekurin me folë vetëm fjalë të mira. Ai nuk ka qenë një person kredibil dhe nuk e kam marrë hiç seriozisht. Isha i bindur, se e njihja edhe nga Prishtina, se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe muj me thanë se boll propaganda të mbrapshta iu ka bërë UÇK-së, se nuk shkon edhe raki edhe me luftu”- tha Dedaj.

Dedaj gjithashtu tregoi se gjatë bisedës së tyre Tahir Desku i kishte thënë se “po më dhimbsesh se ke mu vra”.

“Me m’frigu mu edhe tha: ‘Ki mu vra sonte’, edhe tha se di për dikan, po mu më tha: ‘Ki mu vra, po me dhimesh’ edhe i thash: Mos u mërzit se mua askush nuk me vret dhe nuk e kam marrë hiç seriozisht. Kolegët e mi që ishin aty thanë çka, çka të tha? U thash: “Kurrgjë më tha se krejt mirë është situata’, se nuk dojsha me kriju panik tu e njoftë Tahir Deskun”- theksoi Gjergj Dedaj.

Dëshminë Dedaj pritet të vazhdojnë edhe të marten.

Pas përfundimit të marrjes në pyetje nga Prokuroria, ai do të merret në pyetje edhe nga mbrojtja e të akuzuarve.

Gjergj Dedaj ka dëshmuar në Hagë për rastin e ndalimit të mbi 10 zyrtarëve të LDK-së gjatë një vizite në Qirez.

Dedaj ka rrëfyer se pas një bisede me presidentin Ibrahim Rugova, ata kanë diskutuar mbi nevojën e vizitave në zonat e luftës. Sipas tij, ata kanë shkuar në Malishevë, Bllacë, Ngucat, e Bellanicë.

Vizitën e katërt e kanë bërë në drejtim të Drenicës.

Dedaj ka shtuar se ishte ndaluar më 1998 në fshatin Qirez të Skenderajt, por më pas është shprehur se Ushtria Çlirimtare e Kosovës “është heroike dhe ndër ushtritë më të pastra në historinë botërore”.

Mes tjerash Dedaj ka mohuar një pjesë të dëshmive që i ka dhënë pas luftës në lidhje me zhvillimet e vitit 1998.

Ai ka thënë të hënën para Dhomave të Specializuara se në shumicën e dëshmive nuk ka qenë në gjendje të mirë psikike.

“Momenti, gjendja, zhvillimet, situata familjare kur jam marr në pytje në 90% të deklarimeve që i kam bërë pasluftës s’kam qenë normal dhe në gjendje për të thënë të vërtetën. Jam i gatshëm të ballafaqohem me çdo gjë… Jam kufomë, s’kam asnjë vlerë. Nuk e di pse jam gjallë, unë nuk ligshtohem, jam i guximshëm dhe jam i përgatitur për të dhënë jetën”- ka deklaruar Dedaj.

Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar.

Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.

Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.

Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.

Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.

Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.

Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.

Në këtë çështje janë 143 viktima pjesëmarrëse.

Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.