Kushtetuesja e Gjykatës Speciale hedh poshtë ankesën e Salih Mustafës
Gjykata Kushtetuese në Gjykatën Speciale në Hagë e ka hedhur poshtë ankesën e Salih Mustafës, i cili ishte ankuar për shkelje të të drejtave dhe lirive të tij gjatë gjykimit për krime lufte.
Gjykata Speciale njoftoi më 17.04.2025 se në vendimin e saj Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se nuk kishte shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore në rastin e gjykimit të ish-eprorit të UÇK-së, Salih Mustafa.
“Në aktvendim, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese i shpalli të papranueshme një numër ankesash të tij, kurse të tjera i rrëzoi.”- njofton Gjykata Speciale.
Në këtë komunikatë thuhet se Mustafa është ankuar për shkelje të drejtës së tij për gjykim të drejtë si pasojë e mungesës së arsyetimit prej trupit gjykues dhe panelit të Apelit lidhur me verdiktin e fajësisë së tij për vrasje të paligjshme. Mirëpo, sipas vendimit, Gjykata Kushtetuese nuk ka konstatuar gabime faktike ose ligjore.
“Në lidhje me këtë, Dhoma e Gjykatës Kushtetuese nuk konstatoi gabime faktike ose ligjore në arsyetimin e dhomave penale që do të vinin në pikëpyetje konstatimet e tyre. Gjithashtu u theksua se procesi ballafaques kishte qenë në të mirë të z. Mustafa në këtë aspekt. Rrjedhimisht ankesa u shpall e papranueshme.” – thuhet në komunikatë.
Po ashtu sipas komunikatës Mustafa është ankuar se Supremja nuk kishte identifikuar me saktësi dispozitën ligjore më të butë për dënimin e tij kur përjashtoi ligjin që kishte qenë në fuqi në kohën e kryerjes së veprave penale.
“Dhoma e Gjykatës Kushtetuese kujtoi se mbi bazën e nenit 162(1) të Kushtetutës së Kosovës, Dhomat e Specializuara funksionojnë në pajtim me kornizën e tyre ligjore brenda sistemit juridik të Kosovës. Rrjedhimisht të drejtat dhe liritë themelore të garantuara në Kapitullin II të Kushtetutës vlejnë në kontekst të kësaj kornize autonome. Gjithashtu u konstatua se i vetmi ligj detyrues në fuqi lidhur me dënimin në Dhomat e Specializuara është Ligji nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, që nuk u kërkon trupave gjykues të zbatojnë ligje të tjera të Kosovës në dhënien e dënimeve për krime ndërkombëtare, por vetëm t’i mbajnë parasysh ato ligje. Për këtë arsye u konstatua se pretendimi i z. Mustafa për shkelje të Kushtetutës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore, nuk qëndronte.” – thuhet në komunikatën e Gjykatës Speciale.
Ndërsa në komunikatë përshkruhet se Mustafa ishte ankuar se vendimi i panelit të Gjykatës Supreme për të lejuar Mbrojtësin e Viktimave që të paraqiste përgjigje me shkrim ndaj kërkesës së tij për mbrojtje të ligjshmërisë kishte shkelur të drejtat e tij për gjykim të drejtë.
“Dhoma e Gjykatës Kushtetuese konstatoi se asgjë në ankesën e Mustafës nuk krijonte perceptimin e shkeljes së një të drejte kushtetuese. Dhoma gjithashtu theksoi se z. Mustafa nuk e kishte ngritur këtë problem para Panelit të Gjykatës Supreme dhe rrjedhimisht nuk kishte shfrytëzuar të gjitha mjetet e efektshme sipas ligjit në lidhje me këtë.Si pasojë, ankesa u shpall e papranueshme.” – thuhet në komunikatë.
Kujtojmë se Gjykata Supreme e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë e ka vërtetuar dënimin me 15 vjet burgim për ish-komandantin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa, i njohur me nofkën “Komandant Cali”.
Dënimi me 15 vjet burgim për Mustafën ishte vendosur nga Gjykata e Apelit. Ai është dënuar për krime lufte.
Fillimisht Mustafa ishte dënuar me 22 vjet burgim nga Gjykata Themelore e Dhomave të Specializuara, por më pas Apeli e kishte zbritur dënimin në 15 vjet dënim me burgim.
Me këtë vendim nuk ishte pajtuar mbrojtja e Salih Mustafës, e cila kishte kërkuar mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme në Hagë. Kërkesë të ngjashme kishte edhe nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar në Hagë.
“Më 25 shkurt 2025, Paneli i Gjykatës Supreme, i përbërë prej gjykatësve Ekaterina Trendafilova (kryegjykatëse), Kristinë van den Vajngart dhe Daniel Fransen, hodhi poshtë Kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë që parashtruan Mustafa dhe ZPS-ja. Këto Kërkesa u dorëzuan në lidhje me Vendimin e Gjykatës së Apelit, më 10 shtator të vitit të kaluar, në të cilin u shqiptua dënimi i ri për Mustafën. Ndër pika të tjera, Paneli konstatoi se Mustafa nuk identifikoi pse dënimi me 15 vjet burgim përbën shkelje të së drejtës penale. Në lidhje me Kërkesën e ZPS-së, Paneli konstatoi se thjesht mospajtimet me Vendime të caktuara nuk përmbushin standardin rigoroz, i cili kërkohet që një Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë të ketë sukses.” – thuhet në njoftim në uebfaqen e Dhomave të Specializuara.
Salih Mustafa ishte dënuar herën e parë, më 16.12.2022, me 26 vjet dënim me burgim për krime lufte, kurse Gjykata e Apelit e kishte zbritur dënimin në 22 vjet burgim. Por, që Supremja vendimin në fjalë ia kishte kthyer për rishqyrtim edhe një herë Gjykatës së Shkallës së Dytë në Hagë.
Herën e dytë Gjykata e Apelit nga 22 vjet dënim me burgim i kishte shqiptuar dënimin me burgim prej 15 vjetësh – dënim i cili ishte atakuar në Supreme.
Salih Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 – duke qenë i pari i ftuar nga Gjykata Speciale.
Sipas aktakuzës, Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril – BIA, i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Aktakuza kundër Mustafës u konfirmua më 12.06.2020 dhe versioni i fundit u bë publik më 28.09.2020.
Aktakuza e ngarkon Mustafën me përgjegjësi penale individuale dhe përgjegjësi penale si epror për krimet e kryera nga disa anëtarë të UÇK-së kundër personave të ndaluar në kompleksin e ndalimit në Zllash, në regjionin e Gollakut.
Salih Mustafa akuzohet për ndalim arbitrar, torturë dhe vrasje të paligjshme. Sipas Speciales, në këtë çështje janë tetë viktima pjesëmarrëse.
Në korrik të 2024-ës, Gjykata Speciale e ka dënuar edhe Pjetër Shalën me 18 vjet burgim për krime lufte.
Nën akuzat për krime lufte, në Hagë po vazhdon procesi gjyqësor edhe ndaj të akuzuarve Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Gjykata Speciale u themelua në vitin 2015 nga Kuvendi i Kosovës dhe heton krimet e pretenduara të pjesëtarëve të UÇK-së, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë në vitet 1998-2000.