Kryeministri Albin Kurti. Foto: KALLXO.com

Kurti pas shtyrjes së vendimit nga Specialja për ish-krerët e UÇK-së: Kosova ka nevojë për gjykatë normale, jo speciale

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, i pyetur rreth shtyrjes së vendimit përfundimtar në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Dhomat e Specializuara në Hagë për datën 20 korrik 2026, tha se “Kosova ka nevojë për gjykatë normale, jo për gjykata speciale”. 

“Sa i përket vendimit të Gjykatës Speciale që të shtyhet për dy muaj – nëse s’gaboj vendimi i tyre – ne e morëm vesh sikurse të gjithë ju, për shkak se Qeveria e Kosovës nuk ka qasje në dinamikat dhe zhvillimet që bëhen në Gjykatën Speciale, e cila nuk karakterizohet nga transparenca për  vendit tonë në shërbim të së cilit thuhet se është. Edhe një herë theksoj se Kosova ka nevojë për gjykatë normale, jo për gjykata speciale”- tha ai për media më 07.05.2026.

Kurti tha se amendamentimi numër 24 i Kushtetutës më 3 gusht 2015 është “një ndër ditët më të rënda të Kosovës të pavarur e të Republikës tonë demokratike”.  Të gjitha këto tash janë pasoja, tha ai.

Shpallja e aktgjykimit ishte paraparë të bëhej më 19 maj, në përputhje me afatet procedurale.

Në shkurt të këtij viti, katër eprorët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi kanë dhënë deklaratat përfundimtare në gjykimin e tyre në Gjykatën Speciale.

Ata thanë se janë të pafajshëm, duke u shprehur se kauza për të cilën luftuan ishte e drejtë dhe çlirimtare.

Katërshja e UÇK-së i dha edhe një herë deklaratat e tyre përfundimtare, të cilët u dekaruan për pafajësinë e tyre duke u shprehur se kauza për të cilën luftuan ishte e drejtë dhe çlirimtare.

Pas përfundimit të fazës së deklaratave përfundimtare të mbrojtjes, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë dhënë fjalët e tyre përfundimtare në Dhomat e Specializuara të Kosovës.

Ekipet mbrojtëse kanë theksuar sipas tyre mungesën e provave të mjaftueshme, ndërsa Zyra e Prokurorit të Specializuar ka shtruar pyetjet dhe ka paraqitur pretendimet përfundimtare.

Aktakuza ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Aktakuza aktuale ndaj Thaçit dhe të tjerëve është dorëzuar më 27.02.2023.

Sipas aktakuzës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar, pjesëtarë të UÇK-së, gjatë periudhës mars 1998-shtator 1999, kishin kryer krime të luftës dhe krime kundër njerëzimit, duke arrestuar dhe ndaluar persona civilë në mënyrë të paligjshme; duke i trajtuar në mënyrë mizore, torturuar dhe zhdukur.

Në mesin e shumë akuzave bëjnë pjesë edhe ato të vrasjeve të paligjshme.

Për të gjitha këto krime të pretenduara prokurori Jack Smith i ngarkoi Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin e Kadri Veselin edhe me akuzën se të njëjtit ishin në dijeni se këto krime ishin duke ndodhur dhe nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim për parandalimin e tyre, mirëpo kishin nxitur kryerjen e tyre.

Në këtë aktakuzë thuhet se Thaçi dhe të tjerët nxitën sulmet ndaj kundërshtarëve dhe nxitën vrasjen e tyre.

Sipas Prokurorisë, krerët e UÇK-së përmes deklaratave publike e veprimeve në terren frikësuan, denigruan, eliminuan kundërshtarë dhe kërkuan të pozicionoheshin si i vetmi zë dhe si i vetmi përfaqësues legjitim i shqiptarëve të Kosovës.

Pjesë e aktakuzës 68-faqëshe të Prokurorisë janë edhe pretendimet për vrasje të paligjshme.

Këto vrasje theksohet se janë kryer në territore të ndryshme të Kosovës dhe Shqipërisë. Sipas Prokurorisë ato janë kryer në: Likoc, Jabllanicë, Llapushnik, Drenoc, Malishevë, Bajgorë, Majac, Zllash, Kleҫkë, Kukës dhe Rahovec.

Në aktakuzë thuhet se një person gjatë vitit 1998 ishte mbajtur në kazermat e UÇK-së në Jabllanicë dhe ishte rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Aktakuza pretendon se fatin e njëjtë e kishin pasur edhe dy viktima tjera, të cilat ishin dërguar në kazermën e UÇK-së në Jabllanicë.

Përpos vrasjeve në Jabllanicë në aktakuzë pretendohet se në fshatin Llapushnik ishte arrestuar një person nga pjesëtarët e UÇK-së, ishte rrahur dhe ishte marrë në pyetje 10 net rresht, ndërsa në fund ishte vrarë.

Aktakuza pretendon tutje se pas një ofensive serbe forcat e UÇK-së në Llapushnik kishin arrestuar afërsisht 30 persona dhe se disa prej tyre më pas ishin lënë të lirë, ndërsa të tjerët ishin qëlluar dhe vrarë.

Aty përshkruhet edhe për 6 vrasje të kryera në Drenoc. Sipas Prokurorisë, 6 burra ishin arrestuar, rrahur e vrarë dhe eshtrat e tyre nuk ishin parë kurrë më.

Pjesë e aktakuzës janë edhe akuzat për vrasjen e 11 civilëve serbë në Malishevë. Sipas aktakuzës, në korrik të vitit 1998, një grup prej 11 të arrestuarish serbë u transferuan në një dhomë, në bodrumin e një ndërtese në Malishevë. Aty përshkruhet se këta civilë ishin rrahur dhe shqelmuar nga anëtarët e UÇK-së, e më pas ishin qëlluar e vrarë.

Në këtë aktakuzë Prokuroria e Specializuar nuk e ka lënë pa e përfshirë edhe atë që e cilëson si qendra e paraburgimit në Kleçkë.

Në këtë lokacion – sipas Prokurorit të Specializuar – gjashtë persona ishin dërguar dhe ishin rrahur për vdekje nga pjesëtarët e UÇK-së.

Sipas aktakuzës një person tjetër kishte vdekur si rezultat i keqtrajtimit në Kukës. Në këtë keqtrajtim thuhet se kishte marrë pjesë edhe Sabit Geci.

Tre persona të tjerë ishin arrestuar në Rahovec. Ata, sipas aktakuzës, ishin rrëmbyer nga ushtarët e UÇK-së në shtëpitë e tyre, ndërsa nuk ishin parë kurrë më.

Arsyeja se pse krerët e UÇK-së akuzohen për krimet dhe vrasjet e sipërmendura – sipas Prokurorit të Specializuar – është përgjegjësia komanduese.

Më 06.12.2024, Gjykata Speciale ka njoftuar për një aktakuzë të re kundër Hashim Thaçit.

Për aktakuzën e re Hashim Thaçi është deklaruar se nuk e pranon fajësinë.

Sipas aktakuzës Thaçi, si dhe Hajredin Kuçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj e Fadil Fazliu akuzohen për ndikim në dëshmitarë. Smakaj dhe Fazliu më 10.02.2026 janë liruar me kusht. Sipas njoftimit të Gjykatës Speciale, koha që Smakaj dhe Fazliu kanë kaluar në paraburigm tejkalon dënimin minimal që do të merrnin nëse dënoheshin për këtë vepër penale.