Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, Foto: KALLXO.com

Kundërthënie mes ekspertizave në rastin e tenderit të Autostradës së Gjilanit, gjykata urdhëron super-ekspertizë

Ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica bashkë me tre të akuzuarit e tjerë, ish – zyrtarët e të njëjtës ministri, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini, u paraqitën para trupit gjykues për akuzat e ushtrimit të ndikimit, shpëlarjes së parave dhe keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Në seancën e sotme ndaj tyre u dëgjua Shaip Bytyçi, eksperti financiar i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarit Betim Reçica.

Bytyçi deklaroi para trupit gjykues të përbërë prej kryetarit Musa Konxheli dhe antarëve Valon Kurtaj dhe Lutfi Shala, se qëndron tërësisht pranë ekspertizës së tij.

I njëjti dha sqarime rreth ekspertizës të cilën e ka përpiluar me 16 qershor të vitit të kaluar, në të cilën i ishte kërkuar që të konstatojë se a ka qenë operatori ekonomik “Gjoka Construction” më i lirë se operatorët e tjerë konkurrues në tenderin e Autostradës së Gjilanit.

Reçica akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi sipas Prokurorisë ai e kishte ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues për kompaninë “Gjoka Konstruktion” dhe të njëjtën e kishte shpallur kompani fituese të tenderit edhe pse nuk i kishte plotësuar kriteret për t’u shpallur kompani e përgjegjshme.

Fillimisht ekspertit iu parashtruan pyetje nga avokati Arbër Krasniqi, i cili e mbron të akuzuarin Betim Reçica.

Avokati Krasniqi kërkoi nga i njëjti që të elaborojë në pika të shkurta konstatimet e ekspertizës. Sipas kësaj ekspertize, operatori “Gjoka Construction” ishte i përgjegjshëm dhe mungesat të cilat ky operator i kishte pasur ishin të natyrës materiale, dhe nuk e pengonin apo dëmtonin tutje procesin e tenderimit.

Lidhur me këtë, eksperti thotë se ka pasur diferencë mes operatorëve në shumë mbi 534 mijë euro, e cila është dukshëm më e lirë.

“Ne këtë rast pasi që janë paratë publike qëllimi është qe tek kufizimi i numrave të lotëve, operatori ekonomik të marrë me shume se një lot në mënyrë që të rritet konkurrenca dhe në mënyrë maksimale te lejohet qasja për fondet publike te cilat ndahen ne mesin e operatorëve ekonomik” – u shpreh eksperti.

“Kjo dispozitë është e aplikueshme vetëm kur ka operatorë të mjaftueshëm dhe të përgjegjshëm për t’u aplikuar ky rregull” – sqaroi tutje i njëjti.

Po ashtu, ai theksoi se ekspertiza e tij ka disa lëshime të natyrës teknike, por të cilat i përmirësoi para trupit gjykues.

Vlen të theksohet se kjo ekspertizë ishte bazuar në lëndën e tenderit të cilin e kishte pasur në dispozicion.

Në pyetjen e avokatit Krasniqi, eksperti sqaroi se “sipas materialit të lëndës kam konstatuar se Gjoka Construction i ka përmbushur të gjitha kërkesat e obligueshme të cilat janë kërkuar sipas dosjes së tenderit..”.

Mirëpo, shtoi se në disa raste nuk është vërtetuar se nuk ka kopje të pasqyrave të të ardhurave dhe raporteve të menaxhmentit të certifikuar nga një kompani e licencuar për vitet 2012 – 2016.

Lidhur me këtë eksperti shtoi se kjo është vetëm nga aspekti funksional dhe nuk paraqet pengesë për operatorin në fjalë.

Faktin që operatori ishte i përgjegjshëm thotë se ishte bazuar në një raport të cilin nuk e posedoi sot në seancë, por premtoi se do ia sjellë gjykatës në ditët në vazhdim.

Mbrojtësi i të akuzuarës Leonora Limani, avokati Alban Makolli, u shpreh se nuk ka pyetje për ekspertin e sotëm për faktin se ekspertiza e tij nuk kishte të bënte me të mbrojturën e tij.

Kryetari i trupit gjykues Musa Konxheli, në përfundim të seancës potencoi se ekspertiza e shtjelluar në seancën e sotme kishte dallime shumë të mëdha me ekspertizën e shtjelluar në seancën paraprake nga eksperti i ftuar nga Prokuroria Speciale.

Për këtë arsye, i njëjti mori aktvendim që për të zbardhur çështjen mjaftueshem dhe për t’i hequr këto dilema mes ekspertizave, të bëhet një super – ekspertizë e cila do të përpilohet nga tre ekspertë të fushës së prokurimit dhe financave.

Për shtjellimin e kësaj ekspertize të tretë seancat e radhës u caktuan të mbahen me 9 dhe 10 tetor.

Ish-sekretari i Ministrisë së Infrastrukturës, Betim Reçica, po akuzohet për disa vepra penale, përfshirë ushtrim ndikimi, shpëlarje të parave si dhe dy vepra të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Ndërsa, Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini po akuzohen se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk e kishin shpallur fitues të tenderit operatorin ekonomik më çmimin më të ulët për ndërtimin e autostradës së Gjilanit edhe pse kriter ishte përcaktuar çmimi më i ulët.

Sipas Prokurorisë, Betim Reçica, në cilësinë e ish-u.d. drejtorit të Prokurimit në Ministrinë e Infrastrukturës kishte ndikuar tek anëtarët e Komisionit rivlerësues për tenderin e ndërtimit të autostradës së Gjilanit.

Këtë vepër, sipas Prokurorisë, Reçica e kishte kryer duke u bërë presion anëtarëve të Komisionit që rivlerësimin ta kryejnë për 10 ditë.

Sipas aktakuzës, Reçica i kishte kërkuar Komisionit që paraprakisht të vinin në takim me ministrin e atëhershëm e pastaj ta shpallnin fitues kompaninë “Gjoka Konstruktion” edhe pse nuk i përmbushte kriteret e tenderit.

Për të njëjtin tender, Reçica akuzohet për keqpërdorim të detyrës pasi sipas Prokurorisë ai e kishte ndryshuar raportin e Komisionit rivlerësues për kompaninë “Gjoka Konstruktion” dhe të njëjtën e kishte shpallur kompani fituese të tenderit edhe pse nuk i kishte plotësuar kriteret për t’u shpallur kompani e përgjegjshme.

Po ashtu, Reçica akuzohet se gjatë kohës sa ishte në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të Ministrisë së Infrastrukturës kishte marrë një vendim me të cilin në mënyrë të kundërligjshme u kishte dhënë paga shtesë 14 zyrtarëve të Ministrisë së Infrastrukturës edhe pse ishin të angazhuar me detyra të rregullta të punës.

Të njëjtin veprim Reçica akuzohet ta ketë marrë edhe me vendimin përmes të cilit kishte urdhëruar kompensime financiare për dy zyrtarë të tjerë të Ministrisë.sipas aktakuzës, ai kishte marrë një vendim që dy zyrtarëve H. M. dhe A. B. t’u bëhej kompensim financiar nga 250 euro në muaj në mënyrë retroaktive që nga viti 2010 kur ishin punësuar.

Ky veprim, sipas Prokurorisë, e ka dëmtuar buxhetin në vlerë 68 mijë euro.

Reçica pos tjerash akuzohet edhe për shpëlarje të parave pasi sipas Prokurorisë me qëllim që të fshehte prejardhjen e parave kishte blerë një veturë ‘Audi F2 S7’ sport të vitit 2019 dhe të njëjtën e kishte regjistruar në emër të vëllait të tij.

Ndërsa zyrtarët Isa Berisha, Leonora Limani dhe Mirdit Emini akuzohen se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare pasi nuk e kishin shpallur fitues të tenderit operatorin ekonomik më çmimin më të ulët për ndërtimin e autostradës së Gjilanit edhe pse kriter ishte përcaktuar çmimi më i ulët.