Ndërrimi i tabelave të komunikacionit në veri. Foto: Liburin Aliu/Facebook
Është mbajtur takimi Kurti-Mlladenoviq për emrat e vendbanimeve në tabelat në veri
Kryeministri Albin Kurti është takuar më 19.03.2024 me Komisionerin për Gjuhë, Sllavisha Mlladenoviq.
Këtë takim Mlladenoviq e kërkoi pasi kishin kuptuar përmes mediave se ka filluar zëvendësimi i tabelave me emrat e lokaliteteve në veri në gjuhën shqipe dhe atë serbe, dhe kanë parë se renditja e gjuhës në këto tabela, sipas tij, është gabim, bazuar në Kushtetutën e Kosovës.
Zëvendësimi i këtyre tabelave është iniciativë e Ministrisë së Infrastrukturës, e cila ka nisur këtë aksion më 14.03.2024.
Kurse, më 15.03.2024 Mlladenoviq deklaroi për KALLXO.com se Ministria e Infrastrukturës nuk është konsultuar me të për shkrimin e emrave të vendbanimeve në këto tabela.
Mlladenoviq, i cili e ka konfirmuar për KALLXO.com mbajtjen e takimit, nuk ka ndarë shumë detaje nga biseda me kryeministrin Kurti, por beson se së shpejti do të dalin me një deklaratë të përbashkët me zëdhënësin e Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.
KALLXO.com e ka pyetur Kryeziun për detajet e këtij takimi, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli.
Mlladenoviq kishte paralajmëruar më 15.03.2024 se do të kërkojnë takim edhe me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu.
Sipas Mlladenoviqit, këtë takim do ta kërkojnë pasi t’i përfundojnë rekomandimet e tyre për këtë çështje si Zyrë e Komisionerit për Gjuhë.
“Ende s’kemi çu mendimin te Ministria, kjo është në procedurë, zhvillohet një kohë s’po di saktë sa, sepse nuk kemi as zyrtarin ligjor për momentin në zyrë. Na mungon stafi, po besoj që shpejt do të nxjerrim një mendim edhe do zgjidhet ky problem”- ka thënë Mlladenoviq për KALLXO.com më 18.03.2024.
KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës në lidhje me moskonsultimin me Mlladenoviqin dhe për tabelat, mirëpo nuk ka pranuar përgjigje.
Duke iu referuar nenit 59, paragrafit 9 të Kushtetutës së Kosovës, Mlladenoviq ka shpjeguar se si parashihet renditja e emrave në këto tabela.
Neni 59 flet për të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre, në paragrafin 9 thuhet “të kenë emërtime lokale, emërtime të rrugëve dhe tregues të tjerë topografikë, që pasqyrojnë dhe janë të ndjeshëm ndaj karakterit shumetnik dhe shumëgjuhësor të zonës përkatëse”.
“Ato shenjat në veri të Kosovës, duhet të jenë së pari në gjuhën serbe, pastaj në gjuhën shqipe. Gjuha e shumicës së banorëve është gjuha primare”- tha Mlladenoviq.
Ndërkaq, sipas Ligjit për përdorimin e gjuhëve, në nenin 9 paragrafi 2 thuhet “Shenjat zyrtare që shënojnë apo përfshijnë emrat e komunave, fshatrave, rrugëve, rrugicave dhe të vendeve të tjera publike, paraqiten në gjuhët zyrtare dhe në gjuhët e komuniteteve, gjuha e të cilave ka statusin e gjuhës zyrtare në komunë, në pajtueshmëri me nenin 2.3”.
“Në komunat e banuara nga një bashkësi, gjuha amtare e të cilës nuk është gjuhë zyrtare dhe e cila përbën së paku 5 për qind të popullsisë së përgjithshme të asaj komune, gjuha e asaj 2 bashkësie do të ketë statusin e gjuhës zyrtare në atë komunë dhe do përdoret barabartë me gjuhët zyrtare. Pavarësisht kësaj që u tha më lart, në mënyrë të veçantë, në komunën e Prizrenit gjuha turke do të ketë statusin e gjuhës zyrtare” – thuhet në nenin 2.3.
Në anën tjetër, ambasadori i Bashkimit Europian në Kosovë, Tomas Szunyog u ka bërë thirrje autoriteteve që procesi i zëvendësimit të tabelave të zbatohet pas konsultimit me Komisionerin e Gjuhës.
Po ashtu, shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport e ka mbështetur Komisionerin për Gjuhë në lidhje me këtë çështje, duke konsideruar se hapat e zëvendësimit të këtyre tabelave duhet të ndjekin konsultimin me Zyrën e Komisonierit për Gjuhë.
KALLXO.com ka raportuar se tabelat që tregojnë emrat e vendbanimeve në shqip dhe serbisht, të cilat u vendosën më 14.03.2024 në Leposaviq janë përshkëllyer me ngjyrë gjatë natës emrat në shqip.
Së fundmi ka filluar pastrimi i tabelave të vendbanimeve në gjuhën shqipe dhe serbe në veri të vendit.
Këtë e ka konfimuar për KALLXO.com zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin Mitrovicë – Veri, Veton Elshani, më 19.03.2024.
Elshani tha se deri më tani është regjistruar një rast i kundërvajtjes.
“Po, sot janë duke u pastru. Një rast ka qenë që i patëm ndalu katër vetë, dy prej tyre i dënuam me tiketa, një e çuam në gjykatë. Por kjo është kundërvajtje. Këto dëmtime, përshkëllime krejt kundërvajtje janë”- ka thënë Elshani për KALLXO.com.