"Festimi" i pesë vjetorit të nisjes së punimeve në rrugën Dollc – Gjakovë

Ideal Zhaveli, udhëheqës i Organizatës joqeveritare “Activism Roots”, gjatë paraditës së sotme, më 15.03.2024, ka kryer një aksion simbolik në dalje të Gjakovës, për të “shënuar” pesë vjetorin e nisjes së punimeve të rrugës Dollc – Gjakovë.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Zhaveli ka thënë se kjo rrugë që e lidh Gjakovën me Prishtinën është shumë e dëmtuar.

“Zonat e sapo asfaltuara janë prishur menjëherë dhe akoma nuk janë rregulluar. Sot përmes këtij aksioni simbolik, uroj 5 vjetorin e rrugës duke shpresuar që kjo rrugë të përfundoj, sepse kështu siç është, vetëm po sa po ua vështirëson qytetarëve udhëtimin dhe po i ndikon për keq komunës së Gjakovës. Shpresoj që ky aksion të ndikoj në efektivitetin e punës së Ministrisë së Infrastrukturës” – ka thënë Zhaveli.

Përndryshe, gjatë një konference për media më 24.01.2024, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrasturkturës, Liburn Aliu, derisa ishte duke folur për projektet që synon t’i përfundojë në vitin 2024 ministria e tij, kishte thënë se një segment i kësaj rruge po trajtohet në gjykatë, ndërsa pjesa më e madhe e shpronësimeve është finalizuar.

“Rruga me shumë probleme Dollc – Gjakovë të cilën kemi arritur një pjesë të madhe të shpronësimeve me i realizu dhe ta bëjmë të qarkullueshme me katër shirita, përpos një segmenti i cili mbetet nëpër gjykata” – kishte thënë Aliu.

Kontrata për rrugën Dollc – Gjakovë ishte nënshkruar me 11.03.2019 nga ministri i Infrastrukturës në atë kohë, Pal Lekaj.

Nënshkruhet kontrata për zgjerimin e rrugës Dollc – Gjakovë