Ndërrimi i tabelave të komunikacionit në veri. Foto: Liburin Aliu/Facebook

Tabelat në veri, deklarohet Komisioneri për Gjuhë

Ministria e Infrastrukturës nuk është konsultuar me Komisionerin për Gjuhë për shkrimin në tabela të emrave të vendbanimeve në veri të Kosovës, të cilat kanë filluar të zëvendësohen në gjuhën shqipe dhe atë serbe, më 14.03.2024.

Këtë e ka konfirmuar për KALLXO.com, Komisioneri për Gjuhë, Slavisha Mladenoviq.

Mladenoviq ka thënë se ka kërkuar takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe së shpejti do të kërkojë takim edhe me ministrin e Infrastrukturës, Liburn Aliu, në lidhje me këtë çështje.

Po ashtu, Mladenoviq deklaroi se janë njoftuar përmes mediave për këtë zëvendësim të tabelave dhe kanë parë se rënditja e gjuhës në këto tabela është gabim, sipas tij duke u bazuar në Kushtetutën e Kosovës.

Në anën tjetër, ambasadori i Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog u ka bërë thirrje autoriteteve që procesi i zëvendësimit të tabelave të zbatohet pas konsultimit me Komisionerin e Gjuhës.

Mladenoviq teksa përmendi se janë prodhuar shenja me gabime, u ankua në lidhje me mos konsultimin e tyre nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës për këtë çështje.

“Jo, shpesh veprimet e tilla bëhen pa konsultim me Zyrën e Komisionerit edhe tek kur një çështje e tillë del në media edhe po bëhet e madhe tek pastaj kemi mundësi me reagu edhe me vepru, që është e keqe se tani veç është bë një hap, u kriju një kosto buxhetore për prodhim të shenjave me gabime” – ka deklaruar Mladenoviq.

Si rezultat i kësaj, ai ka njoftuar se kanë kërkuar takim me kryeministrin Kurti për të biseduar për këtë çështje dhe se janë në pritje të përgjigjes.

“Kam lyp takim me kryeministrin, shpresoj se së shpejti do të takohemi edhe me ministrin Aliu. Do lypim takimin edhe ministrin Aliu, se ky problemi është paraqit dje masdite, na e kena zbulu përmes mediave me të thanë të drejtën edhe dmth sot kena tentu me analizu mirë ligjet që me dit çfarë qëndrimi me bo ndaj çështjes”- njoftoi ai.

Se a do të ushtrojnë padi ndaj Ministrisë së Infrastrukturës për këtë moskonsultim, ai ka thënë se do të tentojnë që përmes bisedimit ta zgjidhin këtë rast.

“Ne nuk kemi marrë masa të tilla më herët edhe do të tentojmë me ndërmjetësim, përmes bisedimit me zgjidhë këtë problem”- është shprehur ai.

Mladenoviq ka vlerësuar se zëvendësimi i tabelave ka qenë hap i nevojshëm.

“Në parim, zëvendësimi i tabelave u kanë hapi i nevojshëm sepse tabelat janë kanë vetëm në një gjuhë. Siç presim me qenë një tabelë në dy gjuhë edhe në Prishtinë, edhe në Ferizaj po presim me qenë edhe në veri të Kosovës, por në parim në Kosovë vlen barazia e gjuhëve zyrtare, e që dmth  e kanë një peshë gjuha shqipe dhe gjuha serbe në ato tabela”- ka thënë Mladenoviq.

Duke iu referuar nenit 59, paragrafit 9 të Kushtetutës së Kosovës, Mladenoviq theksoi se si parashihet rënditja e emrave në këto tabela.

Neni 59 flet për të drejtat e komuniteteteve dhe pjesëtarëve të tyre, ku në paragrafin 9 thuhet “të kenë emërtime lokale, emërtime të rrugëve dhe tregues të tjerë topografikë, që pasqyrojnë dhe janë të ndjeshëm ndaj karakterit shumetnik dhe shumëgjuhësor të zonës përkatëse”.

“Ato shenjat në veri të Kosovës, duhet të jenë së pari në gjuhën serbe, pastaj në gjuhën shqipe. Gjuha e shumicës së banorëve është gjuha primare”- tha ai.

Sipas Mladenoviq, emërtimet e vendbanimeve në Kosovë janë të definuara me Ligjin mbi kufijtë administrativ, të nxjerr nga Ministria e Pushtetit Lokal dhe beson që me atë ligj shumica e madhe e vendbanimeve janë të emëruar siç duhet.

“Rënditja e gjuhëve të vendosura dje sipas meje është e gabuar edhe duhet me ndërru renditjen. Nuk kam vrejt ndonjë gabim drejtshkrimor, dmth duhet me qenë cirilik emri në gjuhën serbe se është standardi i gjuhës serbe, por s’jam sigurt a janë të gjitha në rregull”- ka shtuar ai.

Në anën tjetër, ai ka përmendur faktin se pse emrat e vendbanimeve në gjuhën serbe duhet të jenë të shkruara në alfabetin cirilik.

“Cirilika nuk është jashtëligjore edhe nuk duhet të jetë arsyeja për heqjen e shenjave të vjetra. Arsyeja për heqjen e shenjave të vjetra mund të jetë vetëm mungesa e gjuhës shqipe”- ka arsyetuar Mladenoviq.

KALLXO.com ka raportuar se tabelat që tregojnë emrat e vendbanimeve në shqip dhe serbisht, të cilat u vendosën më 14.03.2024 në Leposaviq janë përshkëllyer me ngjyrë gjatë natës, emrat në shqip.

Së fundi, Mladenoviq tregoi se para disa ditësh kanë pranuar një ankesë nga një qytetar serb në komunën e Lipjanit, për një shenjë të komunikacionit, pasi nuk ekziston fare gjuha serbe, dmth shenjat janë vetëm në gjuhën shqipe.

KALLXO.com e ka pyetur Ministrinë e Infrastrukturës në lidhje me moskonsultimin me Mladenoviq dhe për tabelat që janë shkruar me rënditje të gabuar të gjuhës, dhe është në pritje të përgjigjeve.