Foto: Ilustrim

Gjykimi në mungesë sipas projekt-kodit të procedurës penale

Me vota unanime më 01 tetor 2021 është miratuar në parim projekt-kodi i procedures penale në Komisionin për Legislacion.

Ky projekt-kod trajton veprat penale, rastet e krimeve të luftës, ndërsa trajton edhe suspendimin e zyrtarëve publik në rastin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, e shumë çështje të tjera.

Ndër risitë kryesore që e ka sjellur projekt-kodi i procedurës penale është fakti se tani, gjykimi në mungesë mund të bëhet edhe për të gjitha veprat tjera penale e jo vetëm për krimet e luftës, natyrisht me përmbushjen e disa kushteve procedurale.

Me këtë Kod përcaktohen rregullat e procedurës penale të cilat janë të detyrueshme për punën e gjykatave, prokurorisë së shtetit si dhe të pjesëmarrësve të tjerë në procedurën penale.

Gjithashtu me projekt-kodin e procedurës penale, caktohen rregullat që garantojnë se asnjë person i pafajshëm nuk do të dënohet, ndërsa dënimi ose sanksioni tjetër penal mund t’i shqiptohet vetëm personit i cili ka kryer vepër penale sipas kushteve të parapara me Kodin Penal dhe me ligjet tjera të Kosovës në bazë të të cilave janë paraparë veprat penale.

Gjithashtu sikurse edhe kodet e tjera të procedurës Penale edhe ky projekt kod parashef se para marrjes së aktgjykimit të formës së prerë, liritë dhe të drejtat tjera të të pandehurit mund të kufizohen vetëm sipas kushteve të përcaktuara me të.

Rregullat për gjykimin në mungesë, do të vlejnë për të giitha veprat penale dhe jo vetëm për rastet e krimeve të luftës, me kusht që të akuzuarit të jenë prezent në seancën e parë dhe në shqyrtimin gjyqësor. Ndërsa për rastet e krimeve të luftës kjo nuk do të vlejë, pra gjykimi ndaj të akuzuarve për krime lufte do të zhvillohet edhe nëse ata fare nuk janë në shqyrtimin fillestar e atë gjyqësor.

Në nenin 303 të Projekt-Kodit të procedurës Penale është paraparë Gjykimi në mungesë me përmbushjen e disa kushteve të cilat duhet të plotësohen e pastaj të zhvillohet procedura në mungesë të të akuzuarit.

Sipas paragrafit 2.1 gjykimi në mungesë mund të zhvillohet kur i akuzuari ka qenë në shqyrtimin fillestar dhe i njëjti është njoftuar për datën e shqyrtimit gjyqësor nga Gjykata, por i njëjti nuk ka marrë pjesë në shqyrtim. Gjithashtu sipas të njëjtës pikë i akuzuari duhet të jet njoftuar se është i obliguar se duhet të merrë pjesë në shqyrtimin gjyqësor.

Gjithashtu në paragrafin 4 të të njëjtit nen thuhet se për të vendosur nëse do të mbajë gjykimin në mungesë të të akuzuarit, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues mban seancë dëgjimore për të përcaktuar përse i akuzuari mungon dhe për të vlerësuar çdo sqarim apo dëshmi nëse i akuzuari ka vendosur vullnetarisht të mungojë në gjykim.

Në veҫanti, në marrjen e këtij vendimi, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues merr parasysh nëse janë bërë përpjekje të arsyeshme për sigurimin e prezencës së të akuzuarit në shqyrtim gjyqësor.

Në rast se gjykata do të zhvillojë gjykim në munges për të akuzuarin, sipas paragrafit 6 të nenit 303, është e obliguar që të njoftoj të akuzuarin për llojin e Aktgjykimit, por nëse një gjë e tillë është e pa mundur, atëherë mbrojtësi i të akuzuarit ka të drejtë të bëjë ankesë kundër Aktgjykimit në emër të të akuzuarit.