Gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve, seancë e mbyllur për publikun
Dëshmitari i 27-të, me radhë të mërkurën ka përfunduar dëshminë e tij në gjykimin ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si dhe të akuzuarve të tjerë, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi në Dhomat e Specializuara(DhSK) në Hagë.
Ish-pjesëtarët e UÇK-së, Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Dëshmitari i 27-të ka nisur të deklarohet që nga e marta dhe ka dhënë dëshminë e tij për dy ditë me rradhë para trupit gjykues në seancë të mbyllur.
Paraprakisht, gjykatësi Charles Smith ka vendosur të zgjasë afatet për kërkesat e mbrojtjes dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS).
Gjykatësi Smith ka pranuar arsyetimin e mbrojtjes për një afat më të gjatë, por ka vendosur se data e parashtrimit për kundërshtim deri më 27 tetor do të ishte tepër e vonuar. Andaj, afati për mbrojtjen është caktuar deri më 17 tetor 2023.
Njëkohësisht, me këtë vendim ZPS-ja ka përfituar një zgjatje të afatit të tyre për reagim deri më 31 tetor 2023.
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi, dhe Jakup Krasniqi po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020 dhe ka pësuar disa ndryshime në vitet që kanë pasuar. Aktakuza aktualisht në fuqi u dorëzua më 27 shkurt 2023.
Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave.
Gjithashtu kundër tyre janë ngritur edhe pretendime për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si dhe në Kukës dhe Cahan të Shqipërisë.
Më 10 maj 2022, gjatë paraqitjeve të tyre, të katër të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzat e reja në aktakuzën e ndryshuar.
Më 15 dhjetor gjykatësi i procedurës paraprake ia kaloi dosjen e çështjes trupit gjykues II. Konferenca përgatitore për gjykim u mbajt më 18 janar 2023, pasuar nga Konferenca Përgatitore e Prokurorit të Specializuar më 15 shkurt.
Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023.
Në këtë çështje janë 141 viktima pjesëmarrëse.
Raportimet e tjera të KALLXO.com lidhur me këtë rast mund t’i lexoni në këtë LINK.