Akuza për mashtrim me viza italiane – Gjykata merr vendim ndaj 15 personave

Gjykata e Prishtinës ka liruar 15 të akuzuarit për rastin e njohur si “mashtrim me viza italiane”.

Në arsyetimin e saj, Gjykata tha se nuk është provuar se të akuzuarit kanë kryer veprat të cilat i ngarkoheshin.

Sipas Prokurorisë, dyshohej se 556 viza Schengen ishin marrë nga Ambasada e Italisë në Prishtinë.

Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Azem Koskoviku, Hamza Beqiri, Visar Beqiri, Begë Shaqiri, Hasan Shaqiri, Edison Idrizi, Driton Voca, Fadil Ahmeti, Haxhi Islami dhe Valon Selimi, akuzoheshin nga Prokuroria se duke qenë anëtarë të organizatës të themeluar, organizuar, mbikëqyrur, menaxhuar ose drejtuar nga Ukë Rugova dhe Izet Beqiri, kanë marrë pjesë në furnizimin e individëve me viza Schengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë, të cilat janë marrë në mënyrë të paligjshme ose përmes shtrembërimit ose korrupsionit.

Lidhur me akuzuat për krim të organizuar dhe kontrabandim me emigrantë janë liruar, kurse të akuzuarit Fitim Beqiri, Visar Beqiri dhe Azad Beqiri u dënuan për armë-mbajtje, duke u shqiptuar dënim me gjobë.

Fitim Beqiri u dënua me 300 euro, Azad Beqiri 300, dhe Visar Beqiri 1,000 euro.

Këta 16 tashmë të liruar i përkasin grupit të të akuzuarve ku bënte pjesë edhe Ukë Rugova, ish-deputet dhe djali i ish-presidentit Ibrahim Rugova, dhe Astrit Haraqija, ish-ministri i Kulturës nga Lidhja Demokratike e Kosovë.

Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri ishin liruar nga akuza lidhur me rastin e Vizave Italiane.

Gjykata i kishte liruar nga akuza pasi nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale – krim i organizuar dhe kontrabandim me emigrantë.

Sipas prokurorisë, ata akuzoheshin se kishin marrë pjesë në sigurimin e vizave italiane për së paku 500 persona.

Mirëpo Gjykata ka dënuar Ukë Rugovën me 6 mijë euro për veprën penale armëmbajtë pa leje.

Ukë Rugova, Astrit Haraqija e të tjerët lirohen nga akuza për rastin e vizave italiane

Shënim: Artikulli është edituar.