Ukë Rugova gjatë seancës gjyqësore | Foto: KALLXO.com

Ukë Rugova, Astrit Haraqija e të tjerët lirohen nga akuza për rastin e vizave italiane

Ukë Rugova, Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri janë liruar nga akuza lidhur me rastin e Vizave Italiane.

Gjykata i ka liruar nga akuza pasi nuk është provuar se të njëjtit kanë kryer veprën penale – krim i organizuar dhe kontrabandim me emigrantë.

Sipas prokurorisë të njëjtit kishin marrë pjesë në sigurimin e vizave italiane për së paku 500 persona.

Mirëpo Gjykata ka dënuar Ukë Rugova me 6 mijë euro për veprën penale armëmbajtës pa leje.

I njëjti është gjetur fajtor për posedim të dy revoleve pa autorizim.

Ndërsa Ilaz Beqiri dhe Qefser Baholli për të njëjtën vepër janë dënuar me 3,500 euro secili veç e veç.

Për të akuzuarin Florijan Petani  është refuzuar aktakuza për shkak të veprës penale krim i organizuar lidhur me veprën  penale kontrabandim me emigrantë.

Prokuroria në fjalën përfundimtare për të akuzuarin Florian Petani, i cili bënë pjesë në grupin e parë të Ukë Rugovës, në fjalën përfundimtare është tërhequr nga akuza.

Me arsyet se ndaj Petanit në shtetin e Italisë është zhvilluar procedurë penale për rastin e njëjtë.

Dhe gjykata në Romë ka marrë aktgjykim lirues ndaj këtij të fundit, kështu që duke marrë për bazë këtë fakt, e duke u mbështetur në parim se askush nuk mund të gjykohet dy herë për të njëjtën vepër, prokuroria ka kërkuar nga gjykata që të merr aktgjykim refuzues ndaj Petanit.

Aktakuza për këtë rast është ngritur nga Prokuroria më 16 maj të vitit 2016.

Ky rast fillimisht ishte duke u trajtuar nga EULEX, por me përfundimin e mandatit rasti ka kaluar në organet vendore për tu gjykuar.

Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani janë personat e akuzuar në grupin e parë i njohur si rasti “Ukë rugova”

Të lartë cekur akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë kishin ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit.

Për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria janë propozuar 178 dëshmitarë, 70 prej të cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.