Haradinaj: Prokuroria Speciale është tendencioze

Haradinaj gjatë dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale ka folur edhe për prokurorinë dhe zyrën e prokurorit special.

“Unë nuk kam problem me gjykatën, gjykata e kryen punën e vet, unë kam problem me prokurorinë, kjo prokurori është tendencioze”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka folur edhe për konferencën e mbajtur nga OVL-ja në momentin kur pakot ishin dërguar në selinë e organizatës.

“Në konferencë ka pasur shumë media, në momentin kur i kemi njoftuar për arsyen e konferencës edhe gazetarët kanë qenë të habitur, në konferencë i kishim me vete dhe paketimet e dërguara në zyrat e OVL-së”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se gazetarët i kanë informuar për përmbajtjen e letrave.

“Ne gazetarët i kemi informuar edhe për përmbajtjen e letrës, kemi përmendur edhe emrat e komandantëve të ushtrisë serbe, ndërsa emrat e dëshmitarëve nuk i kemi përmend, sepse nuk e kemi ditur se kush ka qenë dëshmitar”, ka thënë gjatë dëshmisë së tij Haradinaj.

Ai është shprehur se nuk ka bërë kopje të dokumenteve të dërguara në OVL-UÇK. Ai ka folur edhe në momentin kur një gazetari, Halil Berisha, ka marrë kopjet e dokumenteve.

Në procesin e kaluar gjyqësor në dëshminë e Nysni Gucatit si dëshmitar kishte dëshmuar edhe gazetari Halil Berisha.

 

Haradinaj është duke dhënë mbrojtjen e tij para Gjykatës Speciale.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.