ARKIV - Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Haradinaj: Paketa e dytë ka qenë ndryshe nga ajo e para

Nasim Haradinaj në vazhdim të dëshmisë së tij në Gjykatën Speciale ka thënë se pakoja e dytë ka qenë ndryshe nga ajo e para.

Ai ka thënë se ka shikuar në kamera sepse i ka bërë përshtypje se si personi që e kishte sjellë pakot ka mund të hyjë në zyrë shumë lehtë.

“Për mua nuk ka qenë personi i njëjtë që i ka sjellë herën e parë, por formën e maskimit e ka pasur të njëjtë”.

Ai tha se nuk e ka njohur personin e parë e as të dytin që i kanë sjellë paketimet në selinë e OVL-UÇK-së.

Ai ka thënë se pakot e dërguara në organizatë janë parë vetëm nga disa pjesëtarë të organizatës.

‘’Paketat janë parë nga ana jonë, ka pjesëtarë të organizatës që nuk i kanë parë këto dokumente’’, ka thënë Haradinaj.

“Edhe paketën e dytë e kemi shfletuar diku rreth 15-20 minuta, aty ka pasur edhe falënderime për kontributin e disa emrave të zyrtarëve të Serbisë që po bashkëpunojnë me gjykatën speciale, kam pa tmerr për aq pak sa kam shfletuar dokumentet”, ka thënë Haradinaj.

‘’Në momentin kur ka ardhur paketa e dytë e kemi mbajtur një mbledhje të kryesisë, ku kemi vendosur që nëse ka prapë dokumente të thërrasim një konferencë për media”, ka shtuar tutje në dëshminë e tij Haradinaj.

Haradinaj është duke dhënë mbrojtjen e tij para Gjykatës Speciale.

Haradinaj dhe Gucati akuzohen se në prill dhe shtator 2020, bën deklarata akuzuese për dëshmitarë që bashkëpunojnë me ZPS-në dhe për persona të tjerë, duke i quajtur ata, ndër të tjera, gënjeshtarë, bashkëpunëtorë dhe tradhtarë.

Ata akuzohen edhe se shpërndanë pa autorizim informacion konfidencial dhe jopublik në lidhje me hetimet konfidenciale të Task Forcës Hetimore Speciale (‘TFHS’) dhe ZPS-së, inkurajuan të tjerë të shpërndanin më tej informacion konfidencial dhe jopublik.

Sipas Dhomave të Specializuara të dy organizuan dhe bashkërenduan së bashku me disa të tjerë shpërndarjen e paautorizuar të informacionit konfidencial dhe jopublik dhe veprime të tjera në lidhje me të.

Madje në aktakuzë thuhet se të dy në cilësinë e kryetarit dhe nënkryetarit OVL-UÇK-së, mbajtën një konferencë për shtyp në të cilën i ekspozuan dokumentet e DSP-së mbi një tavolinë.

Sipas DSP ata mbajnë përgjegjësi për pengim të personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare, frikësim të dëshmitarëve, hakmarrje dhe shkelje të fshehtësisë së procedurës.