Hazir Borovci

Gjykimi Salih Mustafës, dëshmitari: Në UÇK nuk kishte dallime fetare apo partiake

 

Hazir Borovci, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe veprimtar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), po dëshmon sot në gjykimin ndaj Salih Mustafës i cili po zhvillohet në Dhomat e Specializuara të Hagës.

Sali Mustafa i njohur me nofkën ‘Komandat Cali’, po akuzohet për ndalim arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme si krime lufte.

Para trupit gjykues, dëshmitari Borovci  ka deklaruar se UÇK-ja nuk kishte bërë ndonjë dallim sa i përket fesë apo partisë.

“Bashkërisht me disa shokë, veprimtarë të LDK-së, duke parë rrezikun që po i kanoset vendit tonë, vendosëm që edhe ne të jemi pjesë e UÇK-së. Nuk ka pas dallime as në aspektin partiak, as fetar, janë munduar të improvizojnë e inskenojnë për të na përça, por kur është në pyetje atdheu, vendi, të gjithë janë bë bashkë, edhe LDK edhe subjekte tjera dhe nuk ka pas dallim, as në aspektin fetar e as partiak”, ka thënë Borovci.

Borovci tuje ka folur edhe për momentin kur NATO ka ndaluar sulmet e serbëve në Kosovë.

“Më 24 mars 1999, NATO ka filluar çlirimin e Kosovës, ku bombat e para ranë mbi serbët. Ajo datë më kujtohet mua dhe çdo shqiptari për shkak se atë ditë është ndalë gjakderdhja-gjenocidi dhe është kuptuar për herë të parë e drejta e popullit tim”, ka deklaruar Borovci.

Muajin mars të vitit 1999, dëshmitari Hazir Borovci e quajti muaj të gjenocidit.

“Dihet se data 5, 6, 7 mars i familjes Jashari, si shumë familjeve tjera si në Dukagjin e pjesë tjera, më nuk flasim për dhunë e represion, po flasim për gjenocid. Ne në ato rrethana si UÇK, unë bashkërisht me shokë, vendosëm popullatën civile nga 50 – 100 anëtarë nëpër shtëpia”, ka sqaruar ai.

Derisa ka folur për këtë periudhë, Borovci deklaroi se gjatë tërë vitit 1998, sa më shumë që shtohej represioni, dhuna, përndjekjet, burgosjet nga regjimi serb, nevoja ishte shumë e madhe të angazhoheshin në këshillin për emergjencë.

“Në këshillin komunal për emergjenca – grumbullonte të gjitha ndihmat, si gjëra ushqimore, veshmbathje, medikamente dhe pastaj nga ai këshill ekzistonin nënkëshillat dhe bëhej shpërndarja në familje që ishin të zhvendosura nga zona e luftës, për familjet që kishte nevojë”, ka deklaruar ai.

Dëshmitari në vijim të gjykimit ka deklaruar se pas rrethimit të lagjes në tri drejtime, një pjesë e popullsisë kishte shkuar në fshatin Butovc afër Prishtinës, ku aty ai e kishte takuar Salih Mustafën.

“Vendi ku unë kam ruajt në atë pikën ku thashë, kemi ra afër, është shtëpia e Mustafë Sopit, ku kanë qëndruar disa familje dhe unë pasi e kreva rojën, erdhëm për të pushu, kaluam ka shtëpia e Mustafë Sopit dhe aty e kam takuar Salih Mustafën. Më herët, nuk e kam njohur Salih Mustafën, po aty ka bojshim Bajram dhe në bazë të asaj që më ka tregu Mustafë Sopi dhe në bazë të fjalëve që u thoshte popullatës civile dhe na u drejtua edhe neve, e kuptova se o fjala për Salih Mustafën”, deklaroi Hazir Borovci.

Pas kësaj ai ka përmendur se Salih Mustafën mund ta kishte takuar edhe herë të tjera.

“Kur e pashë herën e parë, këshillonte dhe jepte moral popullatës civile si të ndihmohen njëri me tjetrin, si t’i ndihmojnë fëmijët. Ne na këshillonte vazhdimisht mos të lëmë popullatën vetëm dhe kërkonte prej ne që kishim më shumë eksperiencë të qëndrojmë te pikat më të rrezikshme, ku ishim më afër forcave serbe dhe nga kjo atëherë e kam kuptuar se ka pas të drejtë Mustafa çka na ka tregu ma herët, para se me njoft, për Salih Mustafën”, deklaroi Borovci.

Hazir Borovci ka konfirmuar se Salih Mustafa ka qëndruar në Butovc.

“Vetëm nëse eventualisht ka dalë që e ka pas prej ushtarëve të shkojë në qytet të marrë ushqim, që unë nuk e kam pa, por zakonisht ka qëndru në Butovc gjatë periudhës. Unë thashë se ka mund të shkoj, unë se kam pa, por nëse ka shku në qytet, por atë periudhë ka qëndru në Butovc se ka pas me disa kryefamiljarë që kanë shku në qytet për të marrë ushqim, për të sjellë ushqim te popullata civile. Ka qenë rrezik, po o dashtë me shku me siguru ushqim nga qyteti se kishte mungesë ushqimi, veshmbathje, barna”, deklaroi dëshmitari.

Në seancën e së mërkurës, Hazir Borovci gjatë pjesës së parë të dëshmisë është marrë në pyetje nga avokati i Salih Mustafës, Julius Von Bone.

Sali Mustafa ishte arrestuar në shtator të vitit 2020 nga Policia e EULEX-it dhe që nga ajo datë ai po vazhdon të mbahet nën masën e paraburgimit.

Arrestimi i tij u bë pas konfirmimit të aktakuzës së ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ish-komandant “Cali” akuzohet se për vrasje, torturë dhe trajtim çnjerëzor.

Sipas aktakuzës, në prill të vitit 1999 Mustafa së bashku me pjesëtarët e tjerë të UÇK-së, ushtarët me pseudonimet ‘Tabuti’, ‘Ilmi Vela’, ‘Bimi’, ‘Dardani’, ‘Afrimi’, u hoqën lirinë së paku gjashtë personave pa proces ligjor të rregullt në kompleksin e ndalimit në Zllash të cilët më pas u mbajtën të ruajtur me rojë, ndër të tjera në një stallë të kyçur, dhe iu nënshtruan akteve të trajtimit mizor dhe të torturës.

Sipas prokurorisë ai bashkë me pjesëtarët e tjerë u kishin shkaktuar viktimave vuajtje dhe dhimbje shumë të rënda me synim që të merrnin informata ose deklarata.

Aktakuza ngarkon Mustafën edhe për vrasjen e njërit prej 6 personave të ndaluar.

Sipas kësaj pike të aktakuzës, i akuzuari Salih Mustafa, ishte prezent në kompleksin e ndërtesave të Zllashit, kur pjesëtarët e UÇK-së e kishin sjellë personin tani të vrarë dhe e kishin shënjestruar duke e rrahur.

Në lidhje me këto akuza në paraqitjen e parë të tij para gjykatës, Salih Mustafa ishte deklaruar i pafajshëm.

Raportimet e KALLXO.com lidhur me gjykimin ndj Sali Mustafës mund t`i lexoni duke klikuar në LINK