Gjakovë - Shtyhet për të katërtën herë gjykimi në rastin e vrasjes së Arlind Hanës

 

Në rastin e të akuzuarit Esat Bajrami, për vrasjen e Arlind Hanës, është shtyrë për datën 18 mars.

Në këtë rast ishte paraparë që të arrihej një marrëveshje mbi pranimin e fajësisë, mirëpo e njëjta nuk ishte arritur.

Mbrojtësi i të akuzuarit Esat Bajrami, avokati Teki Bokshi tregoi që për shkaqe notore nuk kishin arritur që të nënshkruajnë marrëveshje me Prokurorinë e Gjakovës.

Avokati Bokshi kërkoi nga gjykata shtyrjen e shqyrtimit gjyqësor, me arsyetimin që të definohet çështja e negocimit të marrëveshjes dhe se të njëjtit nuk janë të përgatitur.

Ndërsa prokurori Ali Uka, tha se duke marrë për bazë gjendjen shëndetësore të kryeprokurorit të Prokurorisë, nuk kishte arritur ta konkretizojë çështjen.

Edhe i dëmtuari Nazmi Hana, duke kërkuar dëmshpërblimin, tha se “dëmi është bërë dhe djali më është vrarë”.

Seanca e radhës u caktua më datën 18 mars.

Kjo është hera e katërt që po shtyhet ky gjykim.

Një seancë ishte shtyrë me kërkesa të palëve, e tjetra për shkak të konferencës vjetore të prokurorëve.

Esat Bajrami, po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se më 1 nëntor të vitit 2017, në qebaptoren “Toni Burger” në Gjakovë, me dashje ka privuar nga jeta tani të ndjerin Arlind Hanën, 30 vjeç.

Ky rast është kthyer në rigjykim nga gjykata e Apelit, në gjykatën e Gjakovës, pasi që i akuzuari ishte dënuar me 18 vite burgim për vrasje e armëmbajtje pa leje.

Në aktvendimin e gjykatës së Apelit thuhet se gjykata e Gjakovës në rigjykimin e këtij rasti duhet të vërtetojë nëse vepra penale është kryer në gjendje të efektit të tronditjes së rëndë mendore, apo i akuzuari i ka kuptuar veprimet e tija në kohën e kryerjes së veprës penale.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të një mosmarrëveshje që e kishin i ndjeri më të pandehurin, për shkak të motrës së tij të mitur, i pandehuri kishte hyrë në qebaptore dhe kishte pritur derisa të largohen të gjithë klientët.

Esat Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm para gjykatësit Nikollë Komani.

Në një nga seancat e mbajtura në gjykatën e Gjakovës, kishte dëshmuar edhe motra e tij e mitur E. B.

Ndaj tij ishte kërkuar që të bëhej edhe një ekspertizë psikiatrike.