Gjykimi i Esat Bajramit - Foto: KALLXO.com

Motra e të akuzuarit për vrasje thotë se është ngacmuar vazhdimisht nga i ndjeri

Në gjykimin e Esat Bajramit, i akuzuar për vrasjen që ka ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, sot në Gjykatën e Gjakovës dëshmuan nëna, motra dhe kolegu i punës i të akuzuarit.

Bajrami po akuzohet nga Prokuroria e Gjakovës se më 1 nëntor 2017, në qebaptoren “Toni Burger” në Gjakovë ka privuar nga jeta Arlind Hanën.

E mitura E.B. gjatë dëshmisë së saj rrëfeu për ngacmimet e vazhdueshme, sipas saj, nga ana e të ndjerit Arlind. Për këto ngacmime tha se i kishte treguar nënës së saj, e pastaj edhe vëllait, Esatit.

“Gjithmonë kur kam qenë vetëm zakonisht kur kam shkuar ose jam kthyer nga shkolla, ai ka përdorur fjalë të ndyta, duke më thënë që jam e zhvilluar fizikisht e duke folur për pjesët intime të trupit, unë atëherë kam qenë 14 vjeçare”, deklaroi motra e të akuzuarit, raporton kallxo.com.

Në këtë rast bëhet e ditur se motivi i vrasjes ishte motra e mitur e të akuzuarit Esat.

“Rreth dy vite para vrasjes vëllai im Esati ka qenë i njoftuar për ngacmimet e tij, mirëpo hera e fundit kur më ka ngacmuar ka qenë 2-3 ditë para vrasjes”, tha dëshmitarja E.B.

Esat Bajrami ishte deklaruar i pafajshëm për veprën penale të vrasjes, ndërsa kishte pranuar se kishte mbajtur armë pa leje.

I akuzuari për vrasje: Më vjen keq për rastin, e kam kryer pa dashje

Në gjykimin e sotëm dëshmoi edhe nëna e të akuzuarit, Fllanza Bajrami.

Ajo tha që lidhur me këtë rast të ngacmimit, Esati ka qenë i njoftuar vetëm një ditë para vrasjes.

“Djali im punon dhe është tip i qetë, nuk ka pasur problem me askënd dhe pasi që e ka kuptuar për ngacmimet e të ndjerit Arlind, unë nuk kam vërejtur asnjë reagim të dyshimtë nga ana e tij”, tha nëna e të akuzuarit Esat, Fllanza Bajrami, raporton kallxo.com.

Ndërsa kolegu i të akuzuarit, Faton Iseni, tha se ditën kritike kishte takuar Esatin te banesa e tij, pasi që ishte duke shkuar në punë dhe kishte kaluar ta mbushte automjetin me karburant.

“Para se të nisem për punë, Esati kishte hyrë në qebaptore dhe prej së largu kam dëgjuar të ndjerin duke e ofenduar me familje Esatin. Pasi jam larguar kam dëgjuar 2 ose 3 gjuajtje me armë, mirëpo nuk jam kthyer për të shikuar çka ka ndodhur, sepse nuk kam dashur të jem pjesë e problemeve”, dëshmoi para gjykatës Faton Iseni.

Në aktakuzë thuhet se për shkak të një mosmarrëveshjes që kishte i ndjeri me të pandehurin, për shkak të motrës së tij të mitur, i pandehuri kishte hyrë në qebaptore dhe kishte pritur derisa të largohen të gjithë klientët.

Pasi që i pandehuri kishte mbetur vetëm me të ndjerin, kishte nxjerrë revolen e tipit “CZ” dhe kishte qëlluar tre herë tani të ndjerin, të cilit I kishte shkaktuar plagë vdekjeprurëse, thuhet në aktakuzë.

Prokuroria dyshon se i akuzuari Esat Bajrami, me veprimet e tij ka kryer veprën penale të vrasjes dhe veprën penale të mbajtjes në kontroll, pronësi dhe posedim të paautorizuar të armëve.

Prokuroria: Mosmarrveshja për motrën e mitur i parapriu vrasjes së 30 vjeçarit në Gjakovë

Kryetari i trupit gjykues Nikollë Komani, seancat e radhës i caktoi për muajin nëntor, kur do të dëgjohen ekspertët mjeko-ligjorë dhe eksperti i balistikës.