Dosja e Gjykatës – Si ndodhi vrasja e të riut dhe plagosja e dy të tjerëve në Mitrovicë?

Gjykata e Mitrovicës ia ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji të pandehurit V. I., nën dyshimin e kryerjes së veprave penale “Vrasje e rëndë” dhe “Mbajtja në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Prokuroria e Mitrovicës ka bërë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej një muaji ndaj të pandehurit V. I., i cili ishte dorëzuar në polici, pas ngjarjes së ndodhur më 12 shkurt në Mitrovicë, ku mbeti i vdekur një person.

Lidhur me këtë kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Mitrovicës, përkatësisht gjyqtari Ali Kutllovci, ka shqyrtuar të gjitha shkresat e lëndës, dëshmitë e dëshmitareve, raportin informues hetimor dhe ka vendosur që të pandehurin ta dërgojë në paraburgim prej 30 ditësh.

Si provë relevante lidhur me veprimet e të pandehurit në këtë rast, gjykata ka vlerësuar inçizimin e kamerave.

“Në pamjet e filmuara nga kamera e sigurisë, duke qartë momenti kur V. I., nga krahu i djathtë duke shkuar në drejtim të grupit tjetër, paralel me M. B.,, kur afrohet e nxjerr revolen duke e mbajtur për trupi e duke u afruar ballë për ballë me personin e veshur me jakne të kaltër, pastaj bien dy persona në tokë, ku duket qartë duke u tërhequr me revole”, thuhet në vendimin e gjykatës, të siguruar nga Kallxo.com.

Në dosjen e gjykatës thuhet se janë dëgjuar krismat dhe se kanë qenë dy grupe të përfshira në përleshje.

Në grupin e parë ishte M. B., M. K. (tashmë i vrarë), F. S., e B. H., ndërsa në grupin tjetër përshkruhen se ishin të përfshirë në rast, L. S., B. H., V. S., A. Gj., B. H., V. I (të cilit gjykata i ka caktuar paraburgimit) dhe P. I.

E gjithë ngjarja kishte ndodhur kur te lokali “NN” me 12 shkurt rreth orës 22:00  kishin shkuar i pandehuri L. S., së bashku me dajën e tij B. H., dhe ishin takuar me pronarin elokalit, A. B.

Në dosje përshkruhet se L. S., dhe B. H., ishin ulur në lokal duke biseduar me A. B., dhe pas një kohe të shkurtë me një veturë kishte shkuar edhe i pandehuri V. S., dhe A. Gj., dhe këta kishin hyrë në lokal.

Tutje në dosje theksohet se derisa të lartcekuri ishin duke biseduar me A. B., para lokalit shkon i pandehuri B. H., me tre persona, aty shkon edhe V. I., ( i është caktuar masa e paraburgimit) dhe P. I., dhe iu bashkohet personave të cilët ishin duke pritur para lokalit.

Në dosjen e siguruar nga KALLXO, thuhet se Sh. T., rezulton të ketë lajmëruar M. B. (po ashtu pronar i lokalit) se në lokal kanë ardh disa persona.

M. B., bashkë me M. K., F. S., dhe B. H., shkojnë te lokali, dhe siç shihet në filmime e ndalin veturën para lokalit dhe të gjithë dalin me vrull nga vetura.

Në dosje theksohet se të njëjtit pasi dalin afrohen të turma e F. S., pas tij shkojnë edhe M. B., dhe M. K.,( tashme i vrarë ), kurse aty shumë afër është parë tek është afruar edhe V. I., (të cilit i është caktuar paraburgimi), i cili kur afrohet nxjerr nga brezi revolen. Aty ishte parë edhe B. H.,  me një shkop në dorë, i cili niset në drejtim të të pandehurit L. S.

“Kurse F. S., i afrohet të pandehurit L. S., duke e shtyrë me duar, në atë moment ky i fundit e nxjerr armën, aty shihet edhe i pandehuri V. I. me armë në dorë, dhe në momentin kur afrohet B. H., i pandehuri L. S., gjuan në drejtim të këtij të fundit”, thuhet në dosje.

“Në atë moment personat fillojnë të tërhiqen, kurse me revole në dorë janë parë L. S., V. S., dhe një person tjetër. I pandehuri L. S., kishte shtënë disa here më armë, ndërsa me armë kanë shtënë edhe V. I., dhe B. H.”, thuhet tutje në dosjen e Gjykatës.

Në këtë rast lëndime kanë marrë M.K. (i cili ndërron jetë), F. S., dhe B. H., të cilët dërgohen në QKUK në Prishtinë. Të gjithë të lënduarit kishin qenë e pjesë e të ashtuquajturit grupit të parë të personave.

Deri me tani 12 dëshmitarë janë proceduar nga prokuroria lidhur me ngjarjen, kurse me qëllim që rrjedha e procedurës të vazhdoj më tutje dhe i pandehuri të mos ketë mundësi ndikimi në dëshmitarë, gjykata ia ka caktuar masën e paraburgimit.

Tutje në arsyetimin e gjykatës për caktimin e paraburgimit është cekur edhe pesha e veprës penale, mënyra dhe rrethanat e kryerje së kësaj vepre, ku nga pamjet ka rezultuar qartë se ishte një koordinim i plotë i formimeve të grupeve me qëllim të qërimit të hesapeve në mes dy grupeve, ku i pandehuri V. I., pa hezitimi dhe me nxitim iu afrohet personave tjerë dhe në afrim e sipër e përgatit revolen duke e nxjerrë nga brezi, kjo sipas gjykatës ka treguar këmbëngulësinë e tij në ndërmarrjen e veprimeve inkriminuese në bashkëveprim edhe me personat e tjerë.

Po ashtu gjykata ka vlerësuar edhe raportet e acaruara në mes të familjeve, duke caktuar masën e paraburgimit për të pandehuritn V. I.