Gjykata e Gjakovës, FOTO-KALLXO.com
Dështon seanca ndaj ish-drejtorit i Gjimnazit në Malishevë
Izet Hoti, drejtori i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, ishte dënuar me tetë muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti.
Sot, para trupit gjykues i përbërë nga kryetari Shaqir Zika bashkë me anëtarët Nikollë Komani dhe Mentor Bajraktari, ishte planifikuar të jepej fjala përfundimtare.
Mirëpo, përmes një parashtrese mbrojtësi i të akuzuarit Izet Hoti, avokati Emrush Kastrati, ka kërkuar shtyerjen e kësaj seance, me arsyetimin se i njëjti të hënave është i obliguar në mbajtjen e ligjëratave online në kolegjin AAB.
Andaj, gjykatësi i rastit, Shaqir Zika tha se seanca e radhës do të caktohet pas koordinimit edhe me avokatin e të akuzuarit.
Sipas aktakuzës, dyshohet se Hoti në maj të këtij viti ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, duke kërkuar 1.500 euro nga Gëzim Kastrati- menaxher i restaurantit “Bimi 2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës.
Dënimi prej 8 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë ishte dhënë nga gjykata e Gjakovës dhe se një vendim i tillë është aprovuar edhe nga gjykata e Apelit.
Apeli me datën 9 korrik 2019, e kishte vërtetuar dënimin ndaj Hotit, duke e refuzuar ankesën e parashtruar nga avokati i tij si të pabazuar.
Pastaj, gjykata Supreme me 21 janar 2020 ka marrë aktgjykim me të cilin ka aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë nga ana e të akuzuarit Izet Hoti.
Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është paraqitur nga avokati Emrush Kastrati, mbrojtës i të akuzuarit Hoti për shkelje procedurale dhe shkeljen e ligjit penal.
Supremja e kishte anuluar aktgjykimin e Apelit, me të cilin ishte vërtetuar dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë dhe rasti ishte kthyer në rigjykim në Apel.
Në seancën e fundit është ndëgjuar një video inqizim i përgjimit të rastit.
KALLXO.com kishte raportuar për këtë rast.
Gjykata e Gjakovës e kishte dënuar më burg e gjobë Izet Hotin, për keqpërdorim të pozitës së tij.
Për këtë rast ishin mbajtur disa seanca e disa kishin dështuar.
Izet Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.