Gjykimi për korrupsion, prokurori thotë se nuk i posedon shkresat e lëndës

Prokurori Ali Uka sot gjatë procedurës së provave deklaroi se ai nuk i posedon të gjitha shkresat e lëndës për një rast gjyqësor ku ish-shefi i inspektoratit, Demë Dashi po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Këtë deklarim prokurori e bëri sot në procesin gjyqësor ndaj Dashit të zhvilluar në Gjykatën e Pejës.

“Nuk e di ku janë shkresat e lëndës, unë vetëm një folder e kam, prokurorja që ka ngritë aktakuzën më ka thënë se i ka dorëzuar në gjykatë”, tha prokurori Ali Uka.

Në shkresat e lëndës nuk janë gjetur disa CD të përgjimeve, e as urdhëresa në bazë të cilës janë bërë përgjimet.

Gjyqtarja Nushe Kuka- Mekaj e urdhëroi prokurorin e shtetit  t`i gjejë këto prova, pasi aktakuza e prokurorisë është e mbështetur në to.

“Urdhërohet prokurori i shtetit që të i gjejë urdhëresat e transkriptove, raportet e transkripteve, qoftë edhe CD të përmbledhura, po ashtu raportet e auditimit meqenëse kjo aktakuzë i referohet këtyre raporteve, e në bazë të cilave raporte ka dëshmuar edhe dëshmitari i propozuar nga prokuroria, Lavdim Lajçi” tha gjykatësja Nushe Kuka- Mekaj.

Nushe Kuka- Mekaj është ngarkuar më këtë proces gjyqësor rishtazi, pasi kjo lëndë ka kaluar në dy gjyqtarë të tjerë.