Gjykimi ndaj ish-drejtorit të Inspektoriatit në Pejë, dëshmitari ftohet gabimisht

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar gjykimi ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit të Komunës së Pejës, Demë Dashi, i cili po akuzohet se me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 – deri më 14 nëntor 2016.

Sot para trupi gjykues u dëgjuan si dëshmitar, Pashk Berisha dhe Agim Lokaj.

Inspektori i ndërtimit në Komunën e Pejës, Pashk Berisha, tha se është përgjegjësi e inspektorëve të nxjerrin vendimet për rrënimin e objekteve pa leje apo tejkalim të lejeve ndërtimore, ndërsa procesi i ekzekutimit të vendimit për rrënim i ka takuar drejtorit të Inspektoratit.

“Me pas drejtori pasi të njoftohet me vendim të inspektorit të ndërtimit, ka obligim ligjor të njoftoj policinë dhe të ndërmarr veprime për sigurimin e kompanisë për rrënim të objektit”, tha Berisha.

Berisha tha se në rastet që janë objekt i aktakuzës drejtori i Inspektoratit, i akuzuari Demë Dashi, nuk ka vepruar, andaj inspektorët i janë drejtuar edhe bordit të komunës, duke ju referuar zyrës së kryetarit të Pejës.

Berisha tha se as nga bordi nuk kanë marrë përgjigje.

Në pyetjen e kryetares së trupit gjykues, Nushe Kuka-Mekaj, se a ka pas kompani për rrënim në vitin 2016, dëshmitari Berisha tha se nuk ka pas kompani për rrënim, edhe pse ishte bërë kërkesa urgjente për kontraktimin e një kompanie për rrënim.

Ai tha se kjo është një ndër disa prej arsyeve pse nuk është bërë rrënimi.

Para trupit gjykues, dëshmi ka dhënë edhe një ndërtues, Agim Lokaj, për objektin që kishte ndërtuar në vitin 2015.

Ai tha se ka bërë mbindërtim në objektin e tij, por që asnjëherë objekti nuk është rrënuar, veçse kishte paguar disa gjoba të shqiptuara.

Dëshmitari shtoi se për objektin e tij nuk ka pas vendim me shkrimin për rrënimin e të njëjtit.

Ndërsa në këtë seancë ishte ftuar gabimisht edhe një dëshmitar, Visar Kelmendi.

Personi i ftuar që të dëshmojë ishte Visar Zenun Kelmendi, ndërsa dëshmitari i propozuar nga ana e prokurorisë ishte Visar Jahja Kelmendi.

Seanca e radhës do të vazhdojë nesër.

Demë Dashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën drejtor i Drejtorisë së Inspekstoratit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri më 14 nëntor 2016.

Prokuroria e akuzon Dashin se ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Sipas aktakuzës, ai u ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm disa personave.