Gjykimi për marrje ryshfeti- Foto/ Tringa Rruka

Ish-drejtori i gjimnazit të Malishevës në rigjykim për ryshfet

Izet Hoti, drejtori i gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, ishte dënuar me tetë muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës, dyshohet se Hoti në maj të këtij viti ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, duke kërkuar 1,500 euro nga Gëzim Kastrati, menaxher i restaurantit “Bimi 2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës.

Ashtu që, oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, ndërsa i akuzuari ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë këtë çmim në 13 euro, që diferencën prej 2 euro për person ta merrte për vete.

Dënimi prej 8 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë ishte dhënë nga gjykata e Gjakovës dhe një vendim i tillë ishte aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Apeli me datën 9 korrik 2019, e kishte vërtetuar dënimin ndaj Hotit, duke e refuzuar ankesën e parashtruar nga avokati i tij Emrush Kastrati, si të pabazuar.

Pastaj, Gjykata Supreme me 21 janar 2020, ka marrë aktgjykim me të cilin ka aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë nga ana e të akuzuarit Izet Hoti.

Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është paraqitur nga avokati Emrush Kastrati, mbrojtës i të akuzuarit Hoti për shkelje procedurale dhe shkeljen e ligjit penal.

Supremja e kishte anuluar aktgjykimin e Apelit, me të cilin ishte vërtetuar dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë dhe rasti ishte kthyer në rigjykim në Apel.

Ndërsa, më pas gjykata e Apelit e kishte anuluar vendimin e gjykatës Themelore dhe lëndën e kishte kthyer sërish në rigjykim.

Sot, para trupit gjykues me kryetar Shaqir Zika dhe anëtarët Nikollë Komani e Mentor Bajraktari, u dëgjua një video inqizim i përgjimit të rastit.

Aty ndëgjohej duke folur dëshmitari Gëzim Kastrati, zyrtari policor e njëkohësisht menaxheri i restaurantit “Bimi 2” dhe shihet i akuzuari Izet Hoti në veturë, për organizimin e mbrëmjes së maturës.

Ky përgjim është bërë si simulim nën dyshimin e veprës së korrupsionit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Izet Hoti, avokati Emrush Kastrati tha se i mbrojturi i tij Izet Hoti nuk ka kërkuar asgjë dhe nuk ka pranuar korrupsion.

“Këtu nënkuptohet se i akuzuari nuk ka kërkuar korrupsion, sepse po të kishte kërkuar ai do ti pranonte ato 400 euro që ia ofronte i dëmtuari Gëzim Kastrati”, tha avokati Emrush Kastrati.

Më pas, gjykimi vazhdoj me ndëgjimin e Gëzim Kastratit, i cili tregoi se ata kishin lënë një takim në restaurant.

Mirëpo, gjatë dëgjimit të CD-së, i njëjti nuk u ndëgjua duke e ftuar të akuzuarin në lokal për të biseduar.

I akuzuari Izet Hoti pyeti dëshmitarin Gëzim Kastrati, se çka ka dashë me thënë me fjalët “boll u mundova, ky osht kopil nuk e dashti”?

Gëzim Katrati u përgjigj duke thënë që kjo ishte pjesë e planit që bisedën që e kishin bërë jashtë, ta bënim në lokal.

Gëzim Kastrati sërish theksoi se i akuzuari ia kishte kërkuar huazim 1500 euro, për të cilat para kishte menduar se po ia kërkon si ryshfet për organizim të mbramjes së maturës.

Pastaj, gjykimi vazhdoi më leximin e shkresave të lëndës, ndërsa sa i përket mbrojtjes së të akuzuarit, ai tha se kësaj radhe do të mbrohet në heshtje dhe i njëjti i propozoi gjykatës që të lexohet procesverbali që kishte dhënë mbrojtjen e tij.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetari Shaqir Zika bashkë me anëtarët Nikollë Komani dhe Mentor Bajraktari, caktuan datën 16 nëntor, për dhënjen e fjalës përfundimtare.

Në seancën e fundit kishte dëshmuar dëshmitari Gëzim Kastrati, menaxheri i restaurantit “Bimi 2”, i cili është edhe zyrtar policor.

KALLXO.com kishte raportuar kur rasti kishte shkuar në gjykatën Supreme.

Gjykata e Gjakovës e kishte dënuar më burg e gjobë Izet Hotin, për keqpërdorim të pozitës së tij.

Për këtë rast ishin mbajtur disa seanca e disa kishin dështuar.

Izet Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.