Gjykimi i Izet Hotit - Foto: KALLXO.com

Avokati i drejtorit të akuzuar për marrje ryshfeti: Në CD s'ka elemente të veprës penale

Në gjykimin e Izet Hotit, drejtorit të shkollës së Malishevës, sot para Gjykatës mbrojtësi i tiji, avokati Emrush Kastrati, u deklarua lidhur me CD-në e pranuar Prokuroria.

Ndërsa seanca e kaluar e këtij gjykimi kishte dështuar për shkak se Prokuroria nuk e kishte pajisur mbrojtësin e të akuzuarit Hoti me të gjitha shkresat e lëndës.

Në seancën e sotme, avokati Kastrati u deklarua rreth përmbajtjes së CD-së, të cilën e ka sjellë Prokuroria.

“CD-ja nuk përmban asnjë element te veprës penale. I njëjti incizim është bërë në veturën e të akuzuarit”, tha avokati i të akuzuarit, raporton KALLXO.com.

“Ai incizim përmban fjalë ku i mbrojturi im kërkon nga menaxheri i restorantit Gëzim Kastrati shërbime të mira për nxënësit e shkollës. Andaj i propozoj Gjykatës që ndaj të mbrojturit tim të pushojë procedurën penale”, tha para Gjykatës avokati Emrush Kastrati.

Ndërsa prokurori Ali Uka qëndroi pranë pretendimeve të tij të paraqitura në aktakuzë, duke kërkuar nga Gjykata që të njëjtën aktakuzë ta marrë për bazë.

Pas kësaj gjyqtari Shaqir Zika refuzoi kërkesën e avokatit Emrush Kastrati, për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave nga ana e avokatit Kastrati, duke i dhënë mbrojtjes të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, raporton www.kallxo.com.

Izet Hoti, drejtor i shkollës së mesme të Malishevës “Hamdi Berisha”, dyshohet të ketë kryer veprën penale marrja e ryshfetit.

Sipas aktakuzës, dyshohet se Hoti në maj të këtij viti ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, duke kërkuar 1.500 euro nga Gëzim Kastrati, menaxher i restorantit “Bimi 2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës.

Në seancën e parë të mbajtur në muajin tetor, i akuzuari Izet Hoti ishte deklaruar i pafajshëm.

https://kallxo.com/izet-hoti-drejtor-i-shkolles-ne-malisheve-deklarohet-per-akuzat-e-prokurorise-per-marrje-te-ryshfetit/

Në lidhje me këtë rast për marrje të ryshfetit, një seancë kishte dështuar për shkak të mungesë së të akuzuarit.

https://kallxo.com/nuk-mbahet-gjykimi-ndaj-drejtorit-te-malisheves-te-akuzuar-per-ryshfet-me-mbremjen-e-matures/

www.kallxo.com