Gjykimi i Izet Hotit - Foto: KALLXO.com

Drejtori i Gjimnazit dënohet për keqpërdorim të parave në mbrëmjen e maturës, rasti shkon në Supreme

Izet Hoti, drejtori i gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë është dënuar me tetë muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë për keqpërdorim të detyrës së tij në lidhje me mbrëmjen e maturës për nxënës.

Dënimin e Hotit nga Gjykata e Gjakovës e ka vërtetuar edhe Gjykata e Apelit.

Hoti momentalisht gjendet në burg duke pritur vendimin e Gjykatës Supreme në lidhje me këtë rast.

Avokati i tij Emrush Kastrati, tha se e kishte udhëzuar klientin e tij që të paraqitet vullnetarisht në burg, pasi që i njëjti tashmë veç ishte larguar nga shkolla.

“Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e gjykatës së Gjakovës, mirëpo pas kërkesës për mbrojtjen e ligjshmërisë rasti është në gjykatën Supreme e cila ende nuk ka vendosur dhe derisa ajo të vendosë Izet Hoti do të qëndrojë në ndalim policor. Që një javë e disa ditë ai gjendet aty”- tha ai për KALLXO.com

Në prill të vitit të kaluar, gjykata e Gjakovës e kishte dënuar më burg e gjobë Izet Hotin për keqpërdorim të pozitës së tij.

Sipas aktakuzës, dyshohet se Hoti në maj të këtij viti ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, duke kërkuar 1.500 euro nga Gëzim Kastrati- menaxher i restaurantit “Bimi 2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës.

Ashtu që oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, ndërsa i akuzuari ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë këtë çmim në 13 euro, që diferencën prej 2 euro për person ta merr përvete.

Dënim me burg dhe gjobë për 1500 Euro ryshfet ndaj drejtorit të Gjimnazit në Malishevë