Gjykimi i Izet Hotit, i akuzuar për ryshfet. FOTO-Tringa Rruka/KALLXO.com

Nis sërish gjykimi i ish-Drejtorit të Gjimnazit të akuzuar për ryshfet

Izet Hoti, Drejtori i Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë po gjykohet sërish në Gjykatën e Gjakovës

Sipas aktakuzës, dyshohet se Hoti në maj të këtij viti ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, duke kërkuar 1.500 euro nga Gëzim Kastrati- menaxher i restaurantit “Bimi 2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës.

Prokuroria thotë se oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, ndërsa i akuzuari ka kërkuar nga menaxheri që ta ngris këtë çmim në 13 euro, që diferencën prej 2 euro për person ta marrë për vete.

Gjykata e Gjakovës e kishte dënuar Hotin me 8 muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë, ndërsa vendimi është aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Pastaj, gjykata Supreme me 21 janar 2020 ka marrë aktgjykim me të cilin ka aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë nga ana e të akuzuarit Izet Hoti.

Supremja e kishte anuluar aktgjykimin e Apelit, me të cilin ishte vërtetuar dënimi i shqiptuar nga shkalla e parë dhe rasti ishte kthyer në rigjykim në Apel.

Ndërsa, më pas gjykata e Apelit e kishte anuluar vendimin e gjykatës Themelore dhe lëndën e kishte kthyer sërish në rigjykim.

Sot, para trupit gjykues me kryetar Shaqir Zika dhe anëtarët Nikollë Komani e Mentor Bajraktari, dëshmitari Gëzim Kastrati zyrtar policor njëkohësisht edhe menaxher i restaurantit “Bimi 2”, tregoi se i akuzuari Izet Hoti fillimisht i kishte kërkuar para hua prej 1 mijë e 500 euro, e më pas kishin biseduar për organizimin e mbrëmjes së maturës.

“Oertat e menysë kanë qenë 11 dhe 13 euro, Izeti sipas komisionit të shkollës ka zgjedhur menynë e 11 eurove, ndërsa para huazim nuk i kam dhënë, sepse kam menduar se po mi kërkon për ryshfet dhe jo huazim”- deklaroi dëshmitari Gëzim Kastrati.

Ai tha se 440 euro si simulim i rastit ia kishte dhënë Policia, të cilat i akuzuari Izet Hoti nuk i kishte marrë, sepse huanë e kishte gjetur dikund tjetër.

Gëzim Kastrati sipas raportit policor që e kishte bërë në vitin 2018, tha se i akuzuari Izet Hoti, paratë prej 1500 euro i kishte kërkuar huazim, ndërsa ai tha se atëherë e kishte kuptuar se po i kërkohen si kusht duke e përmendur edhe restaurantin me çmimet e menysë.

Më pas, dëshmitari Gëzim Kastrati tha se sipas llogarive të tij, i akuzuari Izet Hoti, i kishte thënë që ofertën ta bëjë të 11 eurove ndërsa ta shkruajë sikur e 13 eurove dhe se diferencën prej 2 eurove ta merr ai si bakshish.

Në fund të deklarimit dëshmitari tha se i akuzuari Hoti, ryshfet nuk kishte kërkuar.

I akuzuari Izet Hoti e kishte  pyetur Gëzim Kastratin  se kur i kishte kërkuar ryshfet.

Kastrati tha se nuk i kujtohet në cilin moment.

Seanca e radhës do të mbahet me datën 15 tetor, i cili gjykim do të vazhdojë me dëgjimin e dëshmitarit të njëjtë duke e ballafaquar atë me CD-në e përgjimit të rastit.

Supremja kthen në rigjykim rastin e ish-drejtorit të akuzuar të Gjimnazit në Malishevë