Drejt fundit gjykimi ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Pejës

Në Gjykatën e Pejës ka vazhduar gjykimi ndaj ish-drejtorit të Inspektoratit të Komunës së Pejës, Demë Dashi, i cili po akuzohet se me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj, gjatë periudhës 7 maj 2014 – deri më 14 nëntor 2016.

Sot para Gjykatës kanë dalë për të dëshmuar 3 dëshmitarë, ndërsa në seancën e radhës do vazhdohet me mbrojtjen e të akuzuarit.

Lavdim Lajqi që është auditor i brendshëm në Komunën e Pejës tha se gjatë periudhës 2014-2016, çdo vit është bërë auditimi i drejtorisë për inspeksion, ku në kuadër të kësaj drejtorie hynë edhe sektori i ndërtimit.

“Ne i kemi përmbledhur të gjitha parregullsitë në sektorin e ndërtimit, i kemi përmbledhur në raporte zyrtare, ku edhe i kemi dorëzuar pranë prokurorisë se Pejës, të prokurorja Sahide Gashi”, tha Lajqi.

Lajqi shpjegoi gjetjet e raportit të tij duke i’u referuar periudhës kohore 2014-2016, ku tha se inspektorati ka pas probleme me rrënime dhe shqiptim të gjobave andaj në këtë aspekt janë dhënë rekomandime që të veprohet sipas ligjit në fuqi.

Ai tha se lidhur me kontratën për rrënimin e objekteve pa leje është dhënë rekomandim se ajo nuk është mbikëqyr në mënyrën e duhur.

“Është caktu dikush si mbikëqyrës i kontratës por s’po mendoj që ka të bëjë me sektorin e ndërtimit” shtoi ai.

Mbrojtësi i të akuzuarit Demë Dashi, avokati Gëzim Kollqaku pyeti dëshmitarin se a ka gjetur ai ndonjë shkelje të rëndë nga ana e drejtorit Dashi.

Dëshmitari u përgjigj se auditori e regjistron respektivisht e trajton çdo shkelje por nuk shënohet si shkelje e rëndë pasi ata si organ nuk bëjnë hetim e as gjykim.

Ai në këtë aspekt shtoi se ata kanë mundësi të bëjnë vetëm kategorizimin sipas rrezikshmërisë.

Lajqi tha se raporti me rekomandime i drejtohet kryetarit të komunës dhe drejtorit të inspeksionit për implementim, ndërsa në prokurori ato raporte janë dorëzuar me kërkesë të prokurorisë.

Si dëshmitare u dëgjua edhe Fisnike Kelmendi, zyrtare e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Në gjykimin e kaluar lidhur me këtë rast Kelmendi kishte deklaruar se në kohën sa ishin duke u zhvilluar hetimet në këtë çështje penale, ajo duke vepruar sipas kërkesës së Prokurorisë kishte përpiluar një opinion ligjor që sqaronte faktin se ekzekutimi i vendimit për rrënim të objekteve pa leje është në kompetencën e drejtorit të Inspektoratit nën sugjerimet e inspektorit.

Ajo sot tha se opinioni është përpiluar nga një zyrtare tjetër e cila është pensionuar, ndërsa është nënshkruar nga ajo si udhëheqëse.

Fillimisht ajo deklaroi se opinionet ligjore të lëshuara nga Ministria përkatëse bëhen me kërkesën e palëve të interesuara dhe nuk kanë karakter ligjor në raport me legjislacioni por se vetëm bëjnë orientimin se si të arrihet të qëllimi i legjislacionit përkatës.

“Sipas nenit 84 të Ligjit 02-28 për Procedurën Administrative akti duhet të nënshkruhet nga udhëheqësi i organizatës dhe ekzekutimin e aktit administrativ e bën organi kompetent që e ka nxjerrë aktin”, tha Kelmendi.

E pyetur lidhur me kompetencat e shefit të Inspektoratit, ajo deklaroi se kjo është çështje që rregullohet përmes akteve të brendshme të Komunës.

Zyrtarja tha se Ligji për Inspeksionin nuk e përcaktonte në mënyrë decidive detyrat e drejtori të inspektoratit në nivel lokal por vetëm të zyrtarëve, duke shtuar se detyrat e drejtorit përcaktohen me rregullore të brendshme.

Me rastin e procedimit të provave gjyqtarja e rastit, Nushe Kukaj Mekaj e pyeti prokurori se a qëndron pranë kësaj prove dhe se çka vërteton e njëjta në raport me veprimet inkriminuese të të akuzuarit.

Prokurori Ali Uka tha se mbetet pranë se njëjtës, ndërsa mbrojtja pati kundërshtime për këtë provë pasi sipas tyre ky opinion është vetëm orientim i prokurorit lidhur me legjislacionin.

Gjykata mbeti të vendos lidhur me të njëjtën.

Gjykimi vazhdoi me dëgjimin e inspektorit të ndërtimit, Bajram Muzlijaj.

Muzlija tha se vendimin për rrënim e sjellë inspektori pas konsultave me shefin ose udhëheqësin e tij, ndërsa përgatitjen për organizim të rrënimit e bën shefi e në mungesë të shefit e bën drejtori.

“Një lëndë që është e gatshme për ekzekutim përcjellët të shefi, shefi e përcjell të udhëheqësi, drejtori e ka për obligim me e paraqit në bordin e drejtorëve, nëse është interes i komunës mund të shtyhet për një afat tjetër të caktuar kohor varësisht prej ndjeshmërisë”, tha dëshmitari.

Ai shtoi se drejtori ka marrë pjesë në ekzekutim në disa raste me inspektorat e ndërtimit por se nuk e di fuqinë institucionale të tij për ndikim në zbatim të vendime për rrënim.

Gjatë deklarimeve të dëshmitarëve, gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj iu kërkoi palëve që pyetjet të i drejtojnë në raport me gjendjen faktike të përshkruar në dispozitiv të aktakuzës, lidhur me lejimin e ndërtimeve pa leje.

“Gjatë gjithë kohës procedura e provave është zhvilluar për rrenim, aktakuzën e kemi për lejimin e ndërtimeve pa leje” tha gjyqtarja.

Demë Dashi akuzohet se si person zyrtar në pozitën drejtor i Drejtorisë së Inspektoratit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i kishte përmbushur detyrat zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj gjatë periudhës 7 maj 2014 deri më 14 nëntor 2016.

Prokuroria e akuzon Dashin se ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Sipas aktakuzës, ai u ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm disa personave.

KALLXO.com ka raportuar për seancën e sotme gjyqësore edhe me herët.

Gjykimi për korrupsion, prokurori thotë se nuk i posedon shkresat e lëndës