Arkiv - Gjykimi ndaj Izet Hoti - Drejtor i Gjimnazit - Malishevë

Supremja kthen në rigjykim rastin e ish-drejtorit të akuzuar të Gjimnazit në Malishevë

Gjykata Supreme me 21 janar 2020 ka marrë aktgjykim me të cilin ka aprovuar kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë nga ana e të akuzuarit Izet Hoti.

Izet Hoti, ishte dënuar nga gjykata e shkallës së parë me 8 muaj burgim dhe 1 mijë euro gjobë për marrje ryshfeti.

Apeli me datën 9 korrik 2019, e kishte vërtetuar dënimin ndaj Hotit, duke e refuzuar ankesën e parashtruar nga avokati i tij si të pabazuar.

Kërkesa për mbrojtjen e ligjshmërisë është paraqitur nga avokati Emrush Kastrati, mbrojtës i të akuzuarit Hoti për shkelje procedurale dhe shkeljen e ligjit penal.

Gjykata Supreme ka gjetur se kërkesa është e bazuar, sepse aktgjykimi i shkallës së dytë përmban shkelje esenciale të dispozitave procedurale sepse i akuzuari Hoti, është dënuar nga shkalla e parë për veprën penale marrje ryshfeti ndërsa Apeli ka konstatuar se i akuzuari Hoti kishte kërkuar hua nga Gëzim Kastrati.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Supreme të siguruar nga Kallxo.com, thuhet se konkludimi i Apelit, është në kundërshtim jo vetëm me arsyetimin e aktgjykimit të shkallës së parë por edhe me shkresat e lëndës.

Supremja thotë se kundërthëniet dhe paqartësitë në vendimin e Apelit janë aq të theksuara sa që e bëjnë atë të paqartë, konfuz dhe plotësisht të pakuputueshëm në raport me veprimet e të dënuarit.

Sipas aktakuzës, dyshohet se Hoti në maj të këtij viti ka keqpërdorur autoritetin e tij zyrtar, duke kërkuar 1,500 euro nga Gëzim Kastrati, menaxher i restaurantit “Bimi 2”, për organizimin e mbrëmjes së maturës.

Dosja e Prokurorisë thotë se oferta reale për karrige ka qenë 11 euro, ndërsa i akuzuari ka kërkuar nga menaxheri që ta ngritë këtë çmim në 13 euro, që diferencën prej 2 euro për person ta merrte për vete.

Izet Hoti, ish-drejtor i gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, tashmë është e ditur që është i dënuar me tetë muaj burg dhe 1 mijë euro gjobë nga Gjykata e Gjakovës dhe se një vendim i tillë është aprovuar edhe nga Gjykata e Apelit.

Për momentin ky rast gjendet në Gjykatën Supreme, e cila ende nuk ka vendosur. Blerim Thaçi, drejtori për arsim dhe edukim në komunën e Malishevës, tregoi se Izet Hoti, pak para rastit kishte kërkuar pushim.

“Ish-drejtori Izet Hoti, ka kërkuar pushim pa pagesë, por ne nuk e kemi aprovuar këtë kërkesë. I njëjti është shkarkuar nga puna pasi që ndaj tij ekziston një vendim i plotfuqishëm”, tha drejtori Thaçi për Kallxo.com

Kallxo.com ka raportuar në vazhdimësi lidhur me këtë rast – LINK