Haki Rugova - FOTO KALLXO

Haki Rugova nënshkroi kontratë për vëllanë e tij më 2014, deri në vitin 2013 edhe vetë kishte hise në kompani

Në qershor të këtij viti, kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova është dënuar nga Gjykata e Pejës me një vit burgim për Konflikt Interesi.

Haki Rugova akuzohej se në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut ka nënshkruar kontratë me kompaninë e vëllait të tij, “Ma-Con” sh.p.k. për ndërtimin e kanalizimit për fshatrat Cercë dhe Lubozhdë, në vlerë rreth 289 mijë euro.

Përveç dënimit me burgim, Rugovës i është ndaluar ushtrimi i funksioneve zyrtare në kohëzgjatje prej 1 viti, pas përfundimit të vuajtjes së dënimit.

Në aktgjykimin e siguruar nga KALLXO.com, gjykata ka konstatuar se Rugova ka vepruar në mospajtim mes detyrës publike dhe interesave private të zyrtarit të lartë, kjo pasi ka nënshkruar kontratën në vlerë prej mbi 289 mijë euro, e ku kontraktues ka qenë vëllai i tij.

Gjykata në arsyetim ka thënë se vet Rugova deri në vitin 2013 ka qenë bashkëpronarë i kompanisë, që kishte fituar tenderin në komunën që ai udhëheq, ndërsa bashkëshortja e Rugovës ka qenë në marrëdhënie pune në këtë kompani.

“Në rastin konkret ka nënshkruar një kontratë ku kontraktues ka qenë vëllai i tij G. R. si dhe vet i pandehuri gjer në vitin 2013, ka qenë bashkëpronarë i “………” ndërsa bashkëshortja e tij ka qenë ende në marrëdhënie pune në këtë firmë”, thuhet në arsyetimin e aktgjykimit.

Lidhur me lartësinë e dënimit, gjykata si rrethanë rënduese ka marrë faktin se Rugova si kryetar Komune, me vetëdije ka shkelur ligjin, çka sipas gjykatës përçon një mesazh të pahijshëm.

“I pandehuri është fytyrë publike gjegjësisht kryetar i Komunës dhe me veprimet e tij, me vetëdije ka shkel Ligjin për parandalimin e Konfliktit të Interesit në ushtrimin e funksioneve publike gjë që në opinion përçon një mesazh të pahijshëm gjatë ushtrimit të funksionit të tij publik”, thuhet në vendim të gjykatës.

Ndërsa si rrethanë lehtësuese është marrë fakti që Rugova nuk ka qenë i dënuar më parë, si dhe sjellja e tij korrekte në gjykatë.

Gjykata e Pejës është e bindur se përmes dënimit prej 1 viti burgim do të arrihet qëllimi i dënimit dhe do të parandalohet që ai të kryej vepër tjetër penale në të ardhmen.

Kryetar i trupit gjykues në këtë çështje penale është gjykatësi Sami Sharraxhiu, ndërsa aktakuzën e ka mbrojtur prokurori, Ali Uka.

Aktakuza për konflikt interesi, ndaj të parit të Istogut Haki Rugova erdhi pasi Agjencia Kundër Korrupsionit kishte paraqitur kallëzim penal ndaj tij pas raportimit të marrë nga BIRN dhe Internews Kosova.

“Agjencia Kundër Korrupsionit më 11 gusht 2017, ka pranuar informacionin nga Rrjeti Ballkanik i Gazetarisë Hulumtuese ‘BIRN’ dhe ‘Internews Kosova’ ndaj Haki Rugovës për shkak të mundësisë së veprës penale konflikt i interesit”, thuhej në arsyetimin e kallëzimit penal të Agjencisë.

Ai dyshohej se më 1 gusht 2014 në cilësinë e kryetarit të Komunës së Istogut me dashje ka marrë pjesë personalisht në nënshkrimin e kontratës ‘Ndërtimi i kanalizimit fekal në fshatin Cerrcë – Lubozhdë – faza e parë”.

Tenderin për ndërtimin e këtij kanalizimi e fitoi “’MA-CON’ sh.p.k., në pronësi të Gani Rugovës (vëllai i Haki Rugovës), në vlerë prej 289,119.85 euro, duke mundësuar kështu interes financiar për të (Haki Rugovën) dhe personin juridik që ka të bëjë me të.

Rugova është duke u hetuar edhe për një rast tjetër penal nga prokuroria e Pejës.