Burg e gjobë pasi pranuan fajësinë për drogë

Gazmend Aliu dhe Fatlum Abdullahu u shpallën fajtorë nga gjykata për veprën penale të shitjes, blerjes, posedimit dhe shpërndarjes së narkotikëve.

Ndaj të pandehurit Aliu sipas aktakuzës rëndonin dy pika të dispozitivit ku për pikën e parë u shqiptua burgim 2 vite burgim, dhe gjobë 5 mijë euro, dhe për pikën e dytë i njëjti dënim. Dënim unik për këtë të pandehur u shqiptua 3 vite e 6 muaj burgim dhe gjobë prej 10 mijë eurosh.

Kurse për të pandehurin Fatlum Abdullahu gjykata shqiptoi 2 vite burgim dhe 5 mijë euro gjobë. Në shqiptimin e dënimit, iu llogaritet dhe koha e kaluar në paraburgim dhe i konfiskohet substanca narkotike e gjetur.

Në seancën e shpalljes së aktgjykimit munguan prokurorja speciale,  të pandehurit dhe avokatët mbrojtës të tyre.

Gazmend Aliu dhe Fatlum Abdullahu më 21 qershor të këtij viti para trupit gjykues pranuan fajësinë se kanë pranuar nga njëri-tjetri marihuanë, sipas dosjes së Prokurorisë Speciale me prokurore të çështjes Habibe Salihu.

Ata shprehën ‘pendesën e thellë’ për pikat e akuzës që i rëndonin mbi ta, duke premtuar se nuk do ta përsërisin veprën penale.

Mbrojtësit e të pandehurve, avokati Ramiz Krasniqi dhe Ymer Huruglica, kishin kërkuar  nga trupi gjykues të përbërë nga Lutfi Shala kryetar dhe Valon Kurtaj e Kujtim Krasniqi që për klientët e tyre të marrin parasysh edhe rrethanat personale të tyre.

Avokati Huruglica i cili e mbron Fatlum Abdullahun tha se asnjëherë klienti i tij nuk kishte rënë ndesh me ligjin, dhe që nga arrestimi i tij ka bashkëpunuar me organet e ndjekjes.

Pranimi i fajësisë për të akuzuarit e lartpërmendur është bërë me aktvendim në seancën e mbajtur më datë 20 qershor 2023, ku edhe është ndërprerë masa e paraburgimit për të njëjtit.

Kurse, seanca ishte veçuar për dy të pandehurit meqë të njëjtin e kishin pranuar fajësinë dhe kishin arritur marrëveshje me Prokurorinë Speciale për pjesën e pranimit të fajësisë, por jo edhe për lartësinë e dënimit.

Sipas dosjes së prokurorisë, të akuzuarit Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa, Gazmend Aliu, Gjulin Rudoja, dhe Fatlum Abdullahu ngarkohen me veprën penale të blerjes, shitjes, posedimit të narkotikëve sipas nenit 267 të Kodit tonë Penal.

I akuzuari Mexhaid Qerimi përveç narkotikëve, dyshohet edhe për sulm ndaj personit zyrtar.

Sipas prokurorisë, i pandehuri duke tentuar të arratisej kishte sulmuar policin, të dëmtuarin Arben Elshani, i cili kishte dhënë shenjë të ndalte automjetin që po ngiste i pandehuri Qerimi.

I pandehuri Fehmi Mustafa dhe Mexhaid Qerimi akuzohen nga prokuroria se kanë shpërndarë dhe transportuar narkotikë.

Të njëjtit dyshohen se kanë pasur marrëveshje që narkotikët t’i transportojnë në Serbi përmes autobusëve “Deda Reisen”, të cilët janë në pronësi të pandehurit Fehmi Mustafa.

Kurse, i pandehuri Gjulin Rudoja akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2022 në vazhdimësi ka shpërndarë dhe shitur narkotikë të pandehurit Gazmend Aliut.

Fajësinë nuk e kanë pranuar 3 të pandehurit Mexhaid Qerimi, Fehmi Mustafa dhe Gjulin Rudoja.

Shprehen të penduar para gjykatës, 2 nga 5 të akuzuarve për narkotikë i’u ndërpritet paraburgimi